Ministeriali i Arsimit të Lartë, Rama: E ardhmja nuk mund të mbrohet nga armët, por nga dija
Konferenca Ministeriale e Zonës Europiane të Arsimit të Lartë, me pjesëmarrjen e të gjithë vendeve, është mbledhur sot në Tiranë, duke zhvilluar punimet për herë të parë në rajon.
Synimi i kësaj konference është afrimi ndaj vlerave themelore të arsimit, ndërkombëtarizimi, liria akademike, autonomia institucionale, dimensioni social dhe përgjegjësia publike e arsimit të lartë.
Duke mbajtur një fjalë përshëndetëse në këtë konferencë, kryeministri Edi Rama u shpreh se “ky është moment vërtetë përulës që të jemi vendi i parë në këtë rajon që mikpret këtë forum kaq të rëndësishëm”.
Rama falënderoi delegacionin nga Ukraina për pjesëmarrjen në këtë konferencë, si edhe presidentin e Këshillit të Arsimit të Lartë të Turqisë dhe ministrin e Arsimit të Hungarisë, dy vende mike që, sipas tij, e kanë ndihmuar shumë Shqipërinë.
“Thjesht i veçova këta dy miq pasi u jemi shumë mirënjohës për gjithçka që kanë bërë dhe po bëjnë këto dy vende së bashku me ne, për të na ndihmuar në këtë rrugëtim tonin për të ndërtuar sistemin tonë të arsimit siç duhet dhe për të mësuar nga më të mirët, si Turqia dhe Hungaria. Kanë qenë vende që kanë ardhur tek ne më shpejt se BE, ndërkohë që ne me zor prisnim të kishim qasje në zonën europiane të arsimit të lartë, gjë për të cilën jemi shumë të kënaqur që ka ndodhur”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “vendet tona mund të jenë pjesë e këtij potenciali dhe gjithë mundësive që ofron zona europiane e arsimit të lartë duke pasur mundësi që ne të shfrytëzojmë gjithë atë dije të madhe që ekziston”.
Kryeministri falënderoi po ashtu edhe Federica Mogherinin, të cilën e përgëzoi që ka kaluar në lëmin e arsimit.
“Natyrisht e ardhmja nuk mund të mbrohet nga armët, por nga dija, njohuritë. Armët janë të rëndësishme në një moment të caktuar kur vihet në rrezik jeta, por kur sheh që bota demokratike ka pasur mundësitë të shfrytëzojë kaq shumë para për të bërë rezistencë ndaj një agresioni dhe ndërkohë në fushën e arsimit jo aq shumë, duhet të na bëjë ne të mendohemi edhe një herë për këtë çështje dhe të reflektojmë”, tha Rama.
Fraksion.com