AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Miratimi i rezolutës antikorrupsion në parlament, farsë e dëshpëruar

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për mediet ka komentuar miratimin e rezolutës antikorrupsion në parlament.

Meta tha se, “miratimi vetëm me votat e Rilindjes të “rezolutës antikorrupsion” nga Kuvendi më i korruptuar në kontinent, që qep ligje me porosi për klientët e qeverisë, duke u kthyer në një noter të saj, ishte totalisht një farsë e dëshpëruar.

“Korrupsioni duhet të ndëshkohet ashpërsisht me të gjithë fuqinë e ligjit”, u shpreh Meta.

“Të luftosh korrupsionin me rezolutë kur ke pasur 11 vjet pushtet absolut si Edi Rama dhe kur Shqipëria është e renditur në vendin e parë në Evropë, pas Rusisë, për nivelin më të lartë të korrupsionit dhe e renditur si vendi i dytë në botë, pas Zambias, për nivelin e lartë të ryshfetit, është përbuzje dhe fyerje, jo vetëm për 1 milion shqiptarë që kanë braktisur vendin për shkak të keqqeverisjes, por edhe për të gjithë ata që jetojnë sot këtu në kushte ekstreme varfërie dhe mbijetese”, nënvizoi Meta.

Meta tha se, “sot jemi vendi i parë në rajon për kriminalizimin e zgjedhjeve dhe të ekonomisë, për asgjësimin e transparencës, të llogaridhënies dhe lirisë së fjalës, për kapjen e institucioneve të pavarura dhe sidomos të drejtësisë, për nivelin mizerabël të pagave dhe të pensioneve, për çuarjen në prag falimenti të bujqësisë dhe blegtorisë, aq sa jemi i vetmi vend ku Bashkimi Evropian ka ndërprerë fondet e IPARD-it për shkak se fondet e bujqësisë i çoi tek inceneratori, si edhe për korruptimin e ndërkombëtarëve”.

Meta theksoi se, “rezoluta e miratuar dje është një tjetër poshtërim i Edi Ramës ndaj të ashtuquajturës reformë në drejtësi që punon vetëm me diktat dhe regji. Çdo veprim i drejtësisë të re ka qenë shumë i vonuar, selektiv dhe vetëm si rezultat i presion i denoncimeve të forta dhe konkrete të opozitës”.

“Sot në Shqipëri është vetëm opozita që lufton korrupsionin, me fakte, me prova dhe me denoncime konkrete dhe përballë është një drejtësi qe ka lidhur duart, që mbyll çështjet, që i zvarrit duke i shërbyer korrupsionit e jo duke luftuar”, u shpreh Meta.

Fraksion.com