Autoritetet iraniane rrisin shtypjen ndaj zërave kritikë pas vdekjes së Raisit
Grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se autoritetet iraniane e kanë intensifikuar fushatën shtypëse nëpër rrjetet sociale, pas vdekjes së presidentit Ebrahim Raisi, si pasojë e rrëzimit të aeroplanit më 19 maj.
Raisi, i cili ka vdekur në incident, bashkë me ministrin e Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, dhe disa zyrtarë tjerë, është akuzuar se ka shërbyer si prokuror në “komitetin e ekzekutimeve” i cili ka vendosur për vrasjen e mijëra të burgosurve politikë dhe kundërshtarëve tjerë të regjimit në fund të viteve ’80.
Ai është quajtur shpesh prej kritikëve si “Ayatollah Ekzekutuesi’ ose “Ayatollah Masakruesi”, për shkak të rolit të tij të dyshuar në ekzekutimet masive më 1988.
Me rrëzim të aeroplanit janë tallur shumë përdorues të rrjeteve sociale në gjuhën persishte.
Në anën tjetër, agjencitë iraniane për siguri dhe gjyqësor, janë përgjigjur ashpër ndaj aktivistëve online.
Asociacioni për mbrojtje të të burgosurve politikë azerbajxhanas në Iran, ka thënë se pronari i një fabrike, Ali Reyhani Kajvar, është ndaluar dhe është akuzuar për “propagandë kundër sistemit dhe fyerje të Ebrahim Raisit”, për disa postime që i ka bërë online.
Ende nuk dihet se për cilat komente bëhet fjalë.
Grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se edhe persona tjerë janë akuzuar për “shpërndarje të gënjeshtrave dhe fyerje të martirëve”.
Qendra Informuese e Gjyqësorit në provincën Kerman, ka bërë të ditur se 254 individë kanë pranuar paralajmërime telefonike për përmbajtjen “fyese”, ndërsa tetë prej tyre janë përballur me kallëzime penale./rel
Fraksion.com