Zelensky në Spanjë për të nënshkruar marrëveshje për sigurinë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti të hënën për një vizitë në Madrid, ku pritet ta nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe për sigurinë me Spanjën.
Ai u mirëprit në aeroport nga Mbreti Felipe VI i Spanjës, sipas një videoje të postuar në faqen e presidentit ukrainas në Facebook.
Zelensky do të mbajë takim me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, para nënshkrimit të marrëveshjes për sigurinë, raportojnë mediat spanjolle.
Gazeta spanjolle El Pais raportoi se Madridi synon t’i dërgoj Ukrainës raketa për kundërajrorin Patriot dhe tanke Leopard, përmes një pakoje armësh në vlerë 1.4 miliard dollarë.
Zelensky u ka kërkuar vazhdimisht partnerëve perëndimorë ndihmë për ta forcuar mbrojtjen ajrore muajt e fundit.
Ukraina është duke u përballur me sulme të pareshtura ruse në rajonin e saj lindor, Harkiv, ku forcat ruse e kanë nisur një ofensivë të re.
Së paku 14 njerëz u vranë nga bombardimet ruse në një qendër tregtare në Harkiv në fundjavë. Dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmi i 25 majit, i cili goditi një qendër tregtare të mbushur me vizitorë.
Më shumë se 14.000 persona janë zhvendosur ditëve të fundit nga rajoni lindor ukrainas i Harkivit, ku Rusia më 10 maj nisi një ofensivë tokësore, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë më 21 maj.
Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL
Fraksion.com