AktualitetTë fundit

Iu fundos mjeti me të cilin po kalonin lumin Osum, policia shpëton 2 shtetas

2 shtetas janë shpëtuar mbrëmë në Poliçan nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me ato zjarrfikëse, pasi iu fundos mjeti me të cilin po kalonin lumin Osum.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, rreth orës 02:30, të datës 27 maj, sapo janë njoftuar për 2 shtetas të cilëve iu ishte fundosur mjeti me të cilin lëviznin, teksa kalonin lumin Osum, nga fshati Malinat në fshatin Mbrakull, shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan dhe shërbimet e DVP Berat kanë shkuar në vendin e ngjarjes, për t’iu ofruar ndihmë këtyre shtetasve.

Si rezultat, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, u bë i mundur lokalizimi dhe shpëtimi i 2 shtetasve (banorë të zonës), si dhe nxjerrja e mjetit. Të dy shtetasit u transportuan me autoambulancë për kontrolle mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Beratit fton çdo shtetas që ka nevojë për ndihmë, të kontaktojë Policinë, pasi mbërritja dhe ndihma do të jenë të menjëhershme.

 

 

Fraksion.com