AktualitetPolitikëTë fundit

Rama-shqiptarëve në Milano: Edhe Shqipëria si ju ka dalë nga kafazi i tmerrshëm i paragjykimeve poshtëruese

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Shqipëria sot ka dalë nga ai kafaz i tmerrshëm i paragjykimeve poshtëruese”.

Duke iu drejtuar shqiptarëve që kishin mbushur pallatin e sportit “Busto Arsizio” në Milano, Rama u shpreh se “sot kam ardhur këtu për t’ju thënë se edhe Shqipëria tanimë po e fiton njësoj si ju betejën e saj të drejtë pa e ndaluar vrapin dhe duke e ruajtur të palëkundur besimin në kërkim të kurorës së munguar të drejtësisë për flamurin dhe vendin e saj në familjen e shteteve të Europës”.

“J’ua them vazhdimisht kolegëve të mi europianë, vërtetë edhe për pak kohë ne nuk jemi ende të gjithë si popull dhe si shtet në BE, por të qenit europianë në mes të Europës njësoj të barabartë në nder dhe dinjitet me gjithë të tjerët nga Londra në Varshavë, nga Stokholmi në Athinë, shqiptarëve ua ka caktuar njësoj si gjithë europianëve i njëjti Zot. Ne na e ka shkruajtur amaneti i Skënderbeut, i rilindasve, dëshmorëve të shqiptarisë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri nënvizoi se “mbarë këtij kontinenti jeni ju që ja keni imponuar të parët se shqiptarët janë pjesë e Europës dhe ju jeni pjesë e bashkuar e familjes europiane.

“Njësoj si ju e çliruat këtu në Itali emrin ‘Albanese’ nga kafazi i tmerrshëm i paragjykimeve poshtëruese edhe Albania jonë sot ka dalë nga ai kafaz kur deri para ca vitesh e shikonin me nënçmim, e trajtonin në rastin më të mirë si një krijesë misterioze dhe në rastin më të keq si një qenie inferiore e mbushur me pleshtat e gjithë të këqijave, një vend i rrezikshëm, i padepërtueshëm nga ligji, i pushtuar nga plehrat që i bënte të gjithë shqiptarët në Europë të skuqeshin kur zihej emri me gojë, por sot ka ardhur dita që çdokush rreth e rrotull jush, në lagje, punë e kudoqoftë nga italianët, kur i thoni Albania ju thotë: Mezi po pres të shkoj me pushime. Ka ardhur dita kur nëse rastis ndonjëri që ju sheh shtrembër, keni të gjitha arsyet ta shihni me kokën lart e t’i thoni: ‘Ka ndonjë gjë?’”, shtoi Rama.

Rama u shpreh se për shumë vite emigrantët kanë mbajtur në këmbë Shqipërinë me dërgesat për familjet e tyre, ndërsa sot është radha e Shqipërisë t’i bëjë ata krenarë, kur flasin për dinjitetin e saj të fituar përfundimisht europianë.

Fraksion.com