AktualitetTë fundit

Operacioni “Transportuesi 2”, Balla: Më shumë vendosmëri në goditjen e trafikut të armëve

Ministri i Brendshëm Taulant Balla kërkon nga Policia e Shtetit më shumë angazhim në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit dhe armëmbajtjes pa leje.

Balla në një postim në rrjetet sociale, duke ndarë pamje nga operacioni policor në Tiranë për goditjen e një grupi të trafikut të armëve të zjarrit, tha se lufta ndaj armëmbajtjes pa leje vijon çdo ditë.

“Policia e Shtetit, Tiranë ka goditur përsëri një grup kriminal i përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh. Duhet të bëjmë gjithçka me më shumë angazhim, që fenomeni i armëmbajtjes pa leje dhe trafikantët e armëve të luftohen nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me vendosmëri, çdo ditë”, shkruan Balla.

Policia e Tiranës njoftoi sot se ka goditur një grup kriminal në fushën e trafikut të armëve të zjarrit. Policia e Tiranës bën të ditur se, gjatë operacionit të koduar “Transportuesi 2”, u sekuestruan 10 armë zjarri dhe u arrestuan pesë persona. Policia bën të ditur se gjatë operacionit, në vend-parkimin e një terminali autobusësh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.

 

Fraksion.com