AktualitetNATO/BETë fundit

Jo vetëm politikë: Macronët shkojnë në Gjermani

Mes tensioneve politike ndërmjet Berlinit dhe Parisit presidenti francez, Macron dhe gruaja e tij do të zhvillojnë një vizitë shtetërore në Gjermani me ftesë të presidentit. Steinmeier.

Gjatë një vizite shtetërore në plan të parë nuk është politika, por takimi me vendin dhe njerëzit e tij. Nikoqir nuk është kancelari, por presidenti gjerman. Përveç Berlinit stacione të vizitës të çiftit presidencial do të jenë edhe Dresdeni dhe Münsteri, ku Macron do të nderohet me Çmimin Ndërkombëtar të Paqes së Vestfalisë.

Në fakt vizita e Emmanuel dhe Brigitte Macron në Gjermani ishte planifikuar për korrikun e kaluar, por presidenti e anuloi atë për shkak të trazirave në Francë. As tani gjërat nuk janë shumë më të qeta për Macronin: zgjedhjet evropiane po afrojnë, dhe sipas sondazheve partia populiste e djathtë Rassemblement National e Marine Le Pen ka të ngjarë të bëhet partia më e fortë në Francë.

Përveç kësaj një studim për Eurobarometrin në shkurt tregoi një lodhje të qartë të francezëve nga BE. Sipas studimit Parlamenti Evropian gëzon në Francë reputacionin më të ulët ndër të gjitha 27 vendet e BE dhe pikërisht në vendin, ku mblidhet parlamenti dhe i cili së bashku me Gjermaninë konsiderohet si forca lëvizëse e BE.

Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron shtrëngrojnë duart në Weimar
Fotografi: Ebrahim Noroozi/AP/picture alliance

Macron: “Europa mund të vdesë”

“Europa jonë mund të vdesë” – me këto fjalë para një muaji në universitetin e Sorbonës në Paris Macron kërkoi më shumë sovranitet dhe mbrojtje të përbashkët për Europën. Nuk është hera e parë, që Macron harton vizione të mëdha politike evropiane. Ai e ka bërë këtë në vitin 2017 duke kërkuar një ministër evropian të financave. Atëherë u refuzua nga kancelarja demokristiane Angela Merkel. Këtë herë Olaf Scholz i vlerësoi në X “impulset pozitive” të fjalimit për Evropën, por pa dhënë përgjigje konkrete.

Kemi të bëjmë edhe me mentalitete të ndryshme, mendon Marc Ringel, drejtor i Institutit gjermano-francez në Ludwigsburg, në landin gjerman Baden-Vyrtemberg. Vizionet janë “një mënyrë shumë franceze për të shpjeguar këndvështrimin për gjërat, që nuk e gjen në Gjermani”, thotë ai për DW. (Ish-kancelari) “Helmut Schmidt ka thënë: “Kushdo, që ka vizione, duhet të shkojë te mjeku”. Mendoj se ky është versioni i matur gjerman”.

Besnikëria gjermane ndaj aleancës – Autonomia franceze

Por edhe në shumë çështje të veçanta ka momentalisht diferenca të dukshme politike: Parisi është për përdorimin e energjisë bërthamore, Berlini i ka mbyllur edhe reaktorët e fundit, megjithë mungesën e energisë. Macroni nuk i përjashtoi trupat paqësore në luftën e Ukrainës, Scholz i refuzon kategorikisht. Planet për një tank gjermano-francez dhe një avionin ushtarak përparojnë shumë ngadalë. Macron dëshiron që Gjermania për planet e saj të armatimit, të bëjë porosi te firmat evropiane, pse jo edhe ata franceze, Gjermania preferon të blejë te amerikanët.

“Mbrojtja ka qenë gjithmonë një çështje e vështirë mes Gjermanisë dhe Francës, se në këtë pikë kemi kultura të ndryshme sigurie”, thotë Marc Ringel. “Te pala gjermane kemi lidhje shumë të ngushta me NATO-n”, nga ana tjetër është “autonomia strategjike, që Franca kërkon ta këtë”.

Olaf Scholz në Francë me Emmanuel Macron para Pallatit Elize
Fotografi: Lewis Joly/AP/picture alliance

Scholz në frengjisht, Macron në gjermanisht

Marrëdhëniet gjermano-franceze prej dekadash nuk kanë qenë më të këqija, u ankua së fundmi Friedrich Merz, kryetar i partisë kryesore opozitare CDU. Merz foli edhe për një “çarje” mes Scholz dhe Macron në mbështetjen për Ukrainën. Në një konferencë të përbashkët për këtë temë në mars tensionet qenë të dukshme.

Por Scholz dhe Macron të paktën së jashtmi duan t’i tregojnë botës, se e kuptojnë njëri-tjetrin. Në një video të shkurtër ata e provojnë këtë edhe në gjuhën e njëri-tjetrit. Macron lexon një pyetje në platformën X, në vend të Macronit përgjigjet Scholz – në frëngjisht: “Bonjour chers amis, je vous le confirme, vive l’amitié franco-allemande!” (“Përshëndetje të dashur miq, ju konfirmoj, rroftë miqësia franko-gjermane!”) Macron thotë më pas në gjermanisht: “Danke, Olaf, ich stimme Dir sehr zu.” (Faleminderit, Olaf, jam shumë dakord me ty).

Po miqësia gjermano-franceze mes qytetarëve të të dy vendeve, përtej udhëtimeve për pushime dhe verës së kuqe? Marc Ringel citon një studim të muajit mars nga Infratest. “Ai tregon, se aprovimi i gjermanëve për Francën si një vend partner mbetet i lartë. Mbi 80 për qind e gjermanëve thonë se Franca është një partner i besueshëm, aprovim shumë më i lartë se për çdo partner tjetër. Të njëjtën gjë e kemi të pasqyruar edhe në Francë.”.

 

Fraksion.com