AktualitetNATO/BETë fundit

Si i shohin gjermanët zgjedhjet europiane?

Nga Sabine Kinkartz

Vendimet që merr parlamenti i BE-së lenë gjurmë në jetën e përditshme në Gjermani. Megjithatë shumë qytetarë të Gjermanisë mendojnë se Brukseli është shumë larg.

Ajo shoqërohet nga Marie Glißmann, një socialdemokrate nga Brandenburgu, e cila po ashtu kandidon për Parlamentin Europian. Të dy politikanet duan të flasin me qytetarët për politikën e BE-së dhe t’ua bëjnë atyre të qartë sa të rëndësishme janë zgjedhjet europiane edhe për popullsinë rurale.

Pjesa më e madhe e vendeve mbeten bosh

Socialdemokratët e Eberswaldes kanë përgatitur prezantimin e dy politikaneve të BE-së. Ata kanë shpërndarë 2500 ftesa, kanë vendosur në qytezë 39 pllakata, kanë marrë me qira sallën e madhe të kinemasë Movie-Magic dhe kanë porositur në lokalin e kinemasë kokoshka me thasë. “Me siguri që nuk do të vijnë shumë vetë,” thotë kryetari i socialdemokratëve të qytezës, duke zbutur shpresat. Moti është shumë i bukur përjashtë.

Edhe kur gjatë mbrëmjes 20 qytetarë humbasin nëpër rradhët e gjata të karrikeve, Fischer nuk e fsheh zhgënjimin. 24 vjeçari do të dëshironte që interesimi i njerëzve të kishte qenë pak më i madh. “Në zgjedhjet për parlamentin gjerman, ku njeriu mendon se vendos bashkë me të tjerët kush do të jetë kancelari, pjesëmarrja është më e madhe.”

Në lindje të Gjermanisë Ukrania është temë diskutimi

Ajo çka e shton interesin janë edhe politikanët që polarizojnë. Në fillim të muajit maj, në Eberswalde qëndroi Marie- Agnes Strack Zimmerman, kandidatja kryesore e partisë liberale gjermane, FDP, në zgjedhjet europiane. Në aktivitet morrën pjesë 150 qytetarë, tregon Fischer. “Dhe 150 demostrues që ishin kundër saj”. Strack- Zimmerman, aktualisht deputete e Parlamentit gjerman, është politikane që nxit diskutimet dhe kërkon që të dërgohen më shumë armë në Ukrainë. Në Lindje të Gjermanisë, një në dy vetë është kundër kësaj.

Edhe Katharina Barley flet për Ukrainën në Eberswalde. Për përpjekjet e presidentit rus Vladimir Putin, që të përçajë BE-në, edhe duke marrë ndihmë nga kryeministri hungarez, Viktor Orban. Kremlinit i intereson që në BE dhe në Parlamentin e BE-së të futen sa më shumë nacionalistë dhe populistë të djathtë. Ata nuk duan një Europë të bashkuar dhe kërkojnë ta dobësojnë BE-në.

Për trenat dhe ujqit

Tema kryesore e Barleys është forcimi i demokracisë në BE. Por me pyetjet e tyre qytetarët tregojnë se janë më shumë të interesuar për gjëra të tjera. Për shembull ndërtimin e rrjetit publik të transportit në zonat rurale. Një grua ankohet se duhen disa orë për të shkuar nga Eberswalde në Pocdam, kryeqytetin e landit të Brandenburgut.

Ujqit janë po ashtu një nga temat, sepse sipas një ligji të BE-së ata janë shumë të mbrojtur. Në Brandenburg numri i tyre është shtuar aq shumë, saqë zona është kthyer në zonën me dendësinë më të madhe të ujqve në botë. Kjo gjë zemëron bujqit që nuk lejohen të qëllojnë për t’i vrarë. Në Brandenburg ka më shumë se 25 mijë bagëti dhe ujqit futen vazhdimisht në tufa dhe hanë kafshët.

Një në dy vetë nuk voton

Një situatë delikate për Marie Glißmannin,  e cila lë mënjanë qeskën me kokoshka dhe fillon të flasë. Problemet e bujqve dhe popullsisë rurale janë temat që ajo ka më për zemër dhe ajo do që të luftojë në Bruksel për to. Tek çështja e ujqve janë duke u arritur disa ndryshime dhe për ndërtimin e rrjetit hekurudhor jepen ndihma financiare nga BE.

Spektatorët tundin kokën, por optimizmi nuk duket të vijë në rradhët me pak vetë. Politika europiane është tematikisht shumë larg për shumë vetë, analizon politikani socialdemokrat vendas, Kurt Fischer. Këtë e tregon edhe pjesëmarrja në zgjedhje, e cila në Eberswalde ka qenë në zgjedhjet europiane të vitit 2019 në nivelin e 45 përqindshit.

Optimizmi ka kohë që mungon

Fischer shpreson që kësaj herë pjesëmarrja të jetë më e madhe, të paktën në Brandenburg – ku si ashtu në tetë landet e tjera federale më 9 qershor zhvillohen edhe zgjedhjet për parlamentet e rretheve dhe komunave. “Njerëzit preferojnë më shumë të shkojnë në zgjedhjet komunale ku ia japin votën fytyrave të njohura të qytetit dhe paralelisht bëjnë edhe një kryq për zgjedhjet europiane”.

Pjesëmarrja në zgjedhje gjatë zgjedhjeve europiane ka qenë në Gjermani gjithnjë më e ulët se sa në zgjedhjet kombëtare. Një rënie të madhe pati sidomos në vitet 1999 deri 2014, ku në gjithë Gjermaninë as një në dy vetë nuk e dha votën. Në vitin 2019 filloi të rritet pjesëmarrja në zgjedhje duke arritur pak më shumë se 60 përqind.

Pakënaqësi ndaj socialdemokratëve, Të gjelbërve dhe socialdemokratëve

Në një sondazh aktual të institutit për studimin e opinionit publik, infratest-dimap zhvilluar për përcaktimin e tendencave në Gjermani me kërkesë të stacionit televiziv gjerman ARD, 48 përqind e gjermanëve thonë se janë pak ose aspak të interesuar për zgjedhjet europiane të 9 qershorit.

Studiuesit e opinionit publik shtruan po ashtu pyetje për preferencat zgjedhore në zgjedhjet europiane dhe zgjedhjet për parlamentin gjerman. Ndryshimet janë shumë të mëdha. Kryesimin e mban partia kristiandemokrate/ kristiansociale, që drejton opozitën në parlamentin gjerman, Bundestag. Tri partitë që janë në pushtet në gjermani, socialdemokratët (SPD), Të gjelbërit dhe Liberalët, FDP, kanë marrë rezultate të këqija në sondazhe në krahasim me të tjerët dhe me sa duket do paguajnë edhe në zgjedhjet europiane shpërblimin për pakënaqësinë e madhe ndaj qeverisë gjermane.

Azili dhe migracioni temat numër një

Sondazhet për zgjedhjet europiane ndikohen edhe nga atmosfera në Gjermani, theksoi në një mbledhje të partisë kristiandemokrate CDU, zhvilluar në muajin maj, kryeministri i Bajernit dhe kryetari i Partisë Socialkristiane, CSU, Markus Söder. “Natyrisht që këto zgjedhje janë edhe zgjedhje kombëtare, prandaj ne duhet t’i mbajmë bashkë në mendje.” Që do të thotë se ata që zhvillojnë fushatën zgjedhore për partitë e Unionit, CDU dhe CSU, duhet të flasin për të dy temat njësoj, si ato gjermane ashtu edhe ato europiane.

Kjo gjë thjeshtohet sepse temat kryesore janë të njëjtat si për BE ashtu edhe për Gjermaninë. Në prirjet për Gjermaninë të sondazhit të ARD, gjermanët thanë në fillim të muajit maj se tema e azilit dhe migracionit është problemi më i madh i BE-së, pasuar nga gjendja e konflikteve dhe rreziqeve në politikën e jashtme. Në muajin prill pyetja për problemet më të mëdha të Gjermanisë morri të njëjtat përgjigje.

AfD: “Fillimisht vendi ynë!”

Partia Kristiandemokrate, CDU vendosi në kongresin e saj të ashpërsojë politikën e azilit. Mbas këtij vendimi fshihet shpresa për të marrë edhe vota të AfD. Kjo parti pjesërisht ekstreme e djathtë, është duke e zhvilluar fushatën zgjedhore me moton: „Fillimisht vendi ynë!”. Kjo parti kërkon që BE të reduktohet në komunitet ekonomik dhe komunitet interesash. Björn Höcke, një nga kokat politike të AfD, kërkon madje që BE të japë shpirt.

Kritika nuk vijnë vetëm nga politika, por vijnë edhe nga ekonomia. Më shumë se 30 koncerne gjermane janë bashkuar në nismën „Ne mbështesim vlerat”. Në mesazhin dhënë me video ata i drejtojnë një apel 1,7 milionë punonjësve që kanë në gjithë Gjermaninë, që të votojnë në zgjedhjet europiane kundër urrejtjes, populizmit dhe ekstremizmit. Zemërgjerësia dhe diversiteti janë baza e mirëqënies gjermane.

Avantazhet nuk janë të vetëkuptueshme

Kryetari i CSU-së, Söder ankohet se për shumë qytetarë të Gjermanisë avantazhet që vijnë duke qenë pjesë e BE-së janë kthyer në aq të vetëkuptueshme, saqë gati askush nuk e imagjinon dot të jetojë pa to. Krah mirëqënies ekonomike, hapjes së kufijve dhe lirisë së udhëtimit, BE-ja i ka sjellë Gjermanisë sidomos paqen. “Ne ndiejmë vetëm sot, sa vlerë kanë këto gjëra kur kemi parasysh çfarë ndodh jashtë kufijve të BE-së.”

Zgjedhjet europiane nuk tërheqin shumë vëmendje. Nga qytetarët, por edhe nga shoqëria dhe mediat. “Paramendo, sikur ne të kishim tani zgjedhjet për Parlamentin gjerman ose një nga ato ditë kur bëhen zgjedhjet e dy tre landeve në një ditë. Çfarë dridhjeje tensioni do kishte në ajër, në çdo dy ditë do zhvillohej një sondazh për secilën zgjedhje dhe çdo ditë një arenë diskutimi ose votimi.”

Ngacmimet dhe sulmet janë shtuar

Edhe në qytezën e Eberswaldes në Brandenburg zgjedhjet lokale janë shumë më prezente se sa zgjedhjet europiane. Këtë e tregon edhe numri i pllakatave zgjedhore. Ato bëjnë reklama shumë më tepër me temat lokale si përshembull mungesën e mjekëve në zonat rurale.

Në një nga pikat ka madje përputhje: Pavarësisht nëse flasim për zgjedhjet europiane apo për ato lokale, atmosfera kundër politikanëve nuk ka qenë kurrë kaq agresive sa sot. Politikani komunal Kurt Fischer tregon për grisje të pllakatave zgjedhore, për sulme verbale dhe ngacmime. Shpesh vijnë nga krahu i ekstremistëve të djathtë: „Po të përmendet fjala Nxitës-lufte dëgjon të thuhet: Kush na tradhëtoi: Socialdemokratët.” Një fjali që ka të bëjë me historinë, vitin 1930 dhe që i ka rrënjët tek nacionalsocialistët./DW

 

Fraksion.com