AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

Rezoluta për Srebrenicën, Presidentja e Sllovenisë nga Tirana: Vetëm Serbia kundër, vendet e tjera të BP janë bashkuar!

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për një propozim-rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë. Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.

Nga Tirana ku zhvilloi një vizitë zyrtare, presidentja e Sllovenisë Nataša Pirc Musar deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të bashkuara dhe mbështesin rezolutën, me përjashtim të Serbisë e cila në rezolutën që do të votohet pritet edhe të fajësohet për rolin e saj në zhdukjen e mbi 8 mijë burrave myslimanë të Bosnjes.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Bajram Begaj, Musar theksoi se rezoluta është e rëndësishme në kushtet kur konflikti në Gaza vijon, por edhe në Ukrainë e Sudan me pasoja të rënda për jetët e civilëve.

“Para votimit për Srebrenicën, jam shumë e kënaqur që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë bashkuar, përveç Serbisë. Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa të rëndësishme janë këto rezoluta edhe për shkak të konflikteve, luftës në Gaza më thyen zemrën dhe shpesh nuk më lë të fle. Ne politikanët duhet të flasim se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë. Nuk dyshoj se udhëheqësit shtetërorë do të gjejnë zgjidhje, pasi shpesh harrojmë civilët që e pësojnë më së shumti në këto luftëra, si në Ukrainë, Gaza dhe Sudan”, tha Musar.

 

Farksion.com