Putin firmos dekretin që lejon sekuestrimin e pasurive amerikane nëse SHBA sekuestron pasuri ruse
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin firmosi një dekret në bazë të cilit Rusia mund të konfiskojë pasuritë e kompanive dhe qytetarëve amerkanë për të kompensuar pasuritë e konfiskuara ruse nga ana e Shteteve të Bashkuara.
Dekreti u botua në fletoren zyrtare të enjten, ndërsa zyrtarët më të lartë të G7, Grupit të Shtatë Vendeve të Industrializara, filluan një takim për të vendosur se çfarë të bëjnë me pasuritë e ngrira të Rusisë në Perëndim.
Ukraina dhe aleatë të saj kanë bërë thirrje për konfiskimin e 260 miliardë dollarëve pasuri ruse që janë ngrirë jashtë vendit, pas agresionit të saj ndaj Ukrainës më 24 shkurt të 2022.
Por zyrtarë europianë kanë kundërshuar, duke vënë në dukje shqetësimet ligjore dhe ato për stabilitetin financiar.
Megjithatë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, në muajin prill, nënshkroi në ligj Aktin për Rikthimin e Prosperitetit Ekonomik dhe Mundësisë për Ukrainasit, i cili e lejon administratën të konfiskojë afërsisht 5 miliardë dollarë pasuri shtetërore ruse të ndodhura në Shtetet e Bashkuara.
Ligji ishte pjesë e paketës së ndihmave të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe për vende të tjera, ku parashikohen rreth 61 miliardë dollarë ndihmë për mbrojtjen e Ukrainës.
Por nuk ka gjasa që Shtetet e Bashkuara të konfiskojnë pasuritë pa rënë dakord me anëtarët e tjerë të vendeve të G7-ës dhe Bashkimin Evropian.
Dekreti i nënshkruar nga Presidenti Putin përcakton se kompanitë ruse, Banka Qendrore dhe individët mund të bëjnë ankesë në gjykatat ruse nëse u janë sekuestruar pronat në mënyrë të pajustifikuar në Shtetet e Bashkuara. Nëse gjykata e pranon kërkesën, një komision qeveritar do të ofrojë si kompensim pasuri që mund të përfshijnë prona që zotërohen nga qytetarë ose kompani amerikane në Rusi, letra me vlerë dhe aksione në kompanitë ruse./VOA
Fraksion.com