AktualitetPolitikëTë fundit

PD dorëzon në Kuvend pr/rezolutë për gratë gazetare, Zhupa: Përballen me dhunë verbale

Partia Demokratike ka dorëzuar këtë të enjte në Kuvend një projektrezolutë për mbrojtjen e grave gazetare.

Projektrezoluta u dorëzua nga dy deputetet e Partisë Demokratike, Ina Zhupa dhe Albana Vokshi. Në një prononcim për mediet, Zhupa tha se nga 1 janari 2023 deri më sot janë regjistruar 30 rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve.

“I drejtohemi Kuvendit me një projektrezolutë dhe një mocion për debat në lidhje me dhunën ndaj gazetareve zonja, të cilat punojnë në medie dhe përballen çdo ditë me denigrim, gjuhë linçimi, përbaltje, me dhunë ndonjëherë dhe dhe ndonjëherë edhe me dhunë fizike”, tha Zhupa.

“Si anëtare të Komisionit të Medias, bashkë me kolegen Vokshi, kemi ngritur shpesh, edhe në komision kemi patur në fokus lirinë e medias. Është një shqetësim që gjen reflektim dhe në raportet ndërkombëtare. Raporti i fundit i reporterëve pa kufi tregon se Shqipëria ka rënë me tre vende sa i përket lirisë së medias dhe duke qenë që ishim vendi me rënien më të madhe në Ballkanin Perëndimor. Në raportin e fundit të “Freedom House”, Shqipëria ka rënie në lirinë e medias. Nga 1 janari 2023, deri në 1 maj 2024 janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve, ku natyra e tyre janë më shumë seksiste. Gjuha seksiste është tema kryesore me të cilat gratë gazetare sulmohen apo paragjykohen”, tha Zhupa.

Rastet janë të shumta, si nga kryebashkiaku Veliaj, ndaj gazetares Ola Xama, apo dhe kryeministrit Rama ndaj gazetares Ambrozia Metaj. Ne kemi një gjendje kritike në Radio Televizonin Shqiptar, ku gazetarët pushohen masivisht dhe gazetaret femra trajtohesh me harbutëri, dhe gazetarët largohen me një të rënë të lapsit”, tha Zhupa.

“Kuvendi duhet ta pranojë këtë rezolutë dhe të flasim me votë kundër dhunës ndaj grave në media. Po ashtu të flasim dhe për barazinë gjinore”, u shpreh Zhupa.

Deputetja e PD, Albana Vokshi tha se kjo është një iniciativë e grave të grupit parlamentar të PD.

“Si gra deputete të solidarizohemi me gratë gazetare duke përshkruar dy fenomene në shoqërinë shqiptare ku e para është dhuna me baze gjinore, por edhe të solidarizohemi dhe me gratë gazetare që janë kërcënuar dhe dhunuar në punë  e tyre”, theksoi Vokshi.

 

Fraksion.com