AktualitetBota+Të fundit

Ndihmat humanitare mbërrijnë në Gazë përmes portit të përkohshëm

Ndihmat humanitare filluan të hyjnë në Gazë përmes portit të përkohshëm të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara, sipas zyrtarëve amerikanë.

“Ndihmat po hyjnë,” deklaroi të mërkurën Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan nga Shtëpia e Bardhë. “Jo në sasinë që do të dëshironim, ngaqë gjithmonë duam më shumë.”

Departamenti i Mbrojtjes llogariti që deri në mbrëmjen e së mërkurës, mbi 800 tonë ndihma do të kenë hyrë në port.

Sipas zyrtarit të marinës amerikane Brad Cooper, Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shpërndajnë rreth 500 tonë ndihma në ditë përmes portit të përkohshëm, apo rreth 90 kamionë në ditë, sipas rrjetit televiziv CNN.

Ndihmat po hyjnë në Gazë në një kohë kur sipas njoftimeve pjesa dërmuese e banorëve në këtë territor janë në prag urisë. Disa zyrtarë të ndihmave thonë se në disa pjesë të Rripit të Gazës njerëzit tashmë po vuajnë nga uria.

Ndihmat u zbarkuan në port javën e kaluar dhe pastaj u ngarkuan në kamionë, por turma njerëzish u dyndën drejt autokolonës. Një person humbi jetën gjatë këtij incidenti.

Organizatat e ndihmave po bashkërendohen për të gjetur rrugë të sigurta për autokolonat për të shmangur incidente.

Ndërkohë, tanket izraelite të mërkurën mbrëma avancuan në brendësi të qytetit të Rafahut, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Operacionit ushtarak i parapriu një bombardim i fuqishëm i Rafahut, duke detyruar qindra mijëra njerëz që të kërkojnë strehim.

“Goditjet nga Izraeli me dronë, helikopterë, aeroplanë luftarakë dhe tanke nuk janë ndalur gjatë gjithë natës,” i tha agjencisë Reuters një banor i Rafahut. “Tanket bënë një lëvizje të kufizuar në pjesën juglindore, por megjithatë ata avancuan përmes sulmeve gjatë tërë natës.”

Izraeli thonë se nuk ka alternativë tjetër veçse të godasë disa zona në Gazë, ku beson se po fshihen pjesëtarët e Hamasit, megjithëse aty ndodhen civilë palestinezë.

Gati gjysma e popullatës 2.3 milionëshe të Gazës është strehuar në Rafah së fundmi. Që kur Izraeli filloi operacionin ushtarak në Rafah, rreth 800,000 palestinezë janë detyruar të largohen sërish.

Lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit filloi në tetor, kur grupi militant sulmoi vendbanimet në pjesën jugore të Izraelit duke vrarë 1,200 njerëz dhe marrë peng 250 të tjerë. Kundërpërgjigja e Izraelit ka lënë të vrarë 35,000 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gazë, që drejtohet nga Hamasi./VOA

 

Fraksion.com