AktualitetRajoniTë fundit

Greqi, goditet rrjeti i kokainës që drejtohej nga një shqiptar

Policia greke tha të enjten se goditi një organizatë kriminale ndërkombëtare, anëtarët e së cilës ishin aktivë në importimin dhe trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës nga Amerika Latine në Greqi dhe në Europë.

Policia greke tha se sekuestroi në portin e Pireut 210 kg kokainë, të fshehur në një konteiner , që kishte si destinacion Shqipërinë dhe arrestoi katër persona mes të cilëve drejtuesin e grupit nga Shqipëria.

Sipas policisë greke sasitë e kokainës transportoheshin në rrugë detare dhe fshiheshin në konteinerë në Portin e Pireut për qarkullimin e mëtejshëm të tyre në vendet evropiane, për të përfituar shuma të mëdha fitimesh të paligjshme.

Sipas policsë greke struktura e që rrjeti kishte ngritur siguronte aktivitetin kriminal të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës, nga e cila përfitonin të ardhura të paligjshme që kalonin 5 milionë dollarë.

Policia greke ka qarëtsuar përmes një njoftimi për shtyp rolin e secilit prej të dyshuarve si anëtarë të organizatës.

Sipas policisë greke 48-vjeçari me origjinë shqiptare, kishte marrë përsipër drejtimin e organizatës kriminale, konkretisht gjetjen e sasive të lëndëve narkotike, financimin e blerjes dhe transportit, organizimin e dërgesës së lëndës narkotike nga Amerika Latine, fshehjen e lëndës narkotike në kontejnerë dhe lëvizjen e tyre e mëtejshme.

Policia greke thotë se një 36-vjeçar ishte përgjegjës për gjetjen dhe rekrutimin e anëtarëve të tjerë, ndërsa një 64-vjeçar komunikonte me anëtarë të tjerë të organizatës që ndodheshin jashtë vendit për të koordinuar furnizimin dhe financimin e sasive që do të trafikoheshin.

Anëtari i katërt i organizatës, sipas policisë greke, një 54-vjeçar, mbulonte mbrojtjen operative të 48-vjeçarit, duke marrë masat e duhura për të shmangur arrestimin e tij.

Shqiptari i dyshuar si drejtues i grupit ishte në pritje të vuajtjes së dënimit me 20 vite burg dhe gjobë, pasi në vitin 2017 akuzohej si përgjegjës për instalimin dhe funksionimin e një laboratori për prodhimin e tabletave të drogës sintetike, ku u gjetën dhe u konfiskuan më shumë se 634 mijë tableta Captagon.

Sipas policisë greke edhe një tjetër i arrestuar kishte vuajtur dënimin me burg në SHBA për përfshirjen e tij në një çështje transferimi armësh nga Evropa./VOA

 

Fraksion.com