AktualitetTë fundit

Arrestohet autori i disa vjedhjeve në Lushnjë, Balla: Policia, reagim në kohë mbi ankesat e komuniteteve

Policia e Fierit njofton se ka arrestuar një 34-vjeçar, i cili akuzohet si autor i disa vjedhjeve gjatë dy javëve të fundit në fshatin Plukë, Lushnjë.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, duke ndarë lajmin e arrestimit të 34-vjeçarit, tha se ndalimi i personave që janë shndërruar në shqetësim për komunitetin, ka sjellë rritje të besimit të qytetarëve tek forcat e rendit.

“Rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit lidhet ngushtësisht me reagimin në kohë mbi ankesat e komuniteteve. Banorët e Plukut, Lushnjë kanë përgëzuar Policinë për reagimin e menjëhershëm dhe ndalimin e një personi të kthyer në makthin e fshatit, i dënuar edhe më parë nga drejtësia për vepra penale të vjedhjes etj. Nxis Policinë e Shtetit të rrisë vëmendjen, vigjilencën dhe të forcojë bashkëpunimin me qytetarët, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës së tyre”, shkruan Balla, në një reagim në rrjetet sociale.

Në njoftimin e saj, Policia e Fierit bënë të ditur se, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, ka vënë në pranga shtetasin M. G., 34 vjeç.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë 2 javëve të fundit, ky shtetas ka vjedhur 1 motomjet, shuma parash, produkte ushqimore dhe celularë, në disa banesa dhe dyqane, në fshatin Pluk. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer 34-vjeçari, i cili është dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja””, përfundon njoftimi i Policisë së Fierit.

 

Fraksion.com