AktualitetPolitikëTë fundit

Tirana gati të mirëpresë sekretarin e Jashtëm britanik, Cameron

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Tiranë.

Burime nga Kryeministria, konfirmuan për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) detaje të vizitës së sekretarit Cameron në vendin tonë. Sipas burimeve mësohet se pritja në Kryeministri do të zhvillohet në orën 12:00, teksa konferenca për mediet në orën 13:00.

Ndërkohë Presidenca ka njoftuar se Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe pritet të takohet me Presidentin Bajram Begaj në ora 14:30.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Cameron do të takohet edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Sakaq, Tirana është veshur me ngjyrat e flamurit të Britanisë së Madhe për t’i dhënë mirëseardhjen Lordit Cameron. Ndërkohë tek godina e korpusit të Universitetit të Tiranës është vendosur portreti i tij me mbishkrimin “Welcome” (Mirësevjen).

Po ashtu, mbi vizitën e Cameron në Shqipëri ka zbardhur detaje edhe Ambasada britanike në Tiranë. Njoftohet se “Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit”.

 

Fraksion.com