Sterilizimi e Check-up, ‘Shëndetësia’ miraton planin e vizitave: Dy javë vëzhgim në terren, nga spitali i Durrësit te Trauma! Dëgjesat me dëshmitarët në 3 qershor
Pas shumë mbledhjesh me debate dhe tensione, opozita dhe mazhoranca kanë zhbllokuar punën në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check up në Shëndetësi duke miratuar në mbledhjen e kësaj të marte planin e vizitave për dy javë.
Të dyja palët vendosën të vijojnë me vizitat e përbashkëta në terren për të parë zbatimin e kontratave koncensionare duke nisur nga kjo e premte në spitalin e Durrësit. Në dy javët e ardhshme do të zhvillohen vizita edhe në Spitalin e Traumës, Shkodër, Lushnje dhe Vlorë.
“Këtë të premte të bëhet një vizitë në Durrës në spitalin e Durrësit. Më tej do vendosim për vizita në dy qendra shëndetësore apo në laborator. E gjithë disa do fokusohet në Durrës. Të martën të bëhet një vizitë te spitali i Traumës. Po ashtu do diskutojmë nëse do vizitojmë në të njëjtën rrugë një qendër shëndetësore dhe një laborator. Fundjavën që vjen në Vlorë, Lushnjë dhe Shkodër. Në fund të javës që vjen shpresoj që t’i kemi ezauruar. Biem dakord që të kemi në Durrës, Shkodër në Lushnjë dhe në Vlorë. Pastaj për pjesën e orës vendit apo vizitave do ju informoj më në detaje pasi ta përcaktojmë. Jeni dakord që këto dy javë të fokusohemi te vizitat në terren dhe për këqyrjen në vend të operimit të dy koncesioneve sterilizimit dhe check up. Të gjithë dakord”, tha kryetarja e komisionit hetimor Albana Vokshi.
Po ashtu me konsensus u vendos që seancat dëgjimore do të nisin në datën 3 qershor. Dëshmitarët e parë që do të thirren në radhë janë grupet e auditit të KLSH e më pas Nisma Thurje, e cila ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme për kontratën e shërbimit të sterilizimit. Në vazhdim do të mbahen dëgjesa të tjera sipas listës së dëshmitarëve të miratuar në Planin Hetimor.
“Sa i përket planit të dëgjesave. Sa kohë ende ka një ngërç në përcaktimin e objektit me kryesinë e vogël ne propozojmë që dëgjesat të fillojnë në 3 qershor. Të nisim ditën e hënë më datë 3 dëgjesat me anëtarët e grupeve të auditit të KLSH. Pra do t’i lëmë të gjithë ditën e hënë. PS ka propozuar disa emra të personave që kanë qenë pjesë e auditit të të gjithë raporteve që kanë të bëjnë me koncesionet e sterilizimit dhe check up. Të hënën do t’i lihet KLSH, ndërkohë që të martën do ftojmë Nismën Thurje që është dhe kallëzuesi në SPAK. Lista e propozuar e dëshmitarëve si nga opozita dhe maxhoranca është e gjatë. Ditët në vijim mund të kemi punë intensive kur të fillojnë dëgjesat. Do jetë e përditshme sepse kemi shumë dëshmitarë se bëhet fjalë për dy koncesione”, shtoi Vokshi.
Mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur ende dakordësi për shtrirjen e periudhës së hetimit prej vitit 2009 e këtej. Kjo pikë e rendit të ditës u shty për një mbledhje tjetër.
Fraksion.com