KPA: Kreu i KLP, Alfred Balla largohet nga sistemi i Drejtësisë për 15 vite
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot lënien 15 vite jashtë sistemit të drejtësisë të kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla.
KPA shqyrtoi sot ankimimin e kryer nga Komisioneri Publik për vendimin e dhënë nga KPK.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.
Në vendimin e KPA thuhet se, “trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit Publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar”.
“Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare”, thuhet në njoftim.
Sakaq, pas vendimit ka reaguar Alfred Balla përmes një postimi në rrjetet sociale. “Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra, ku nuk ishte asnjë rast për mua. Ky vendim më la shije jo të mirë, edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat”, tha Balla.
“Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Më keq më vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së”, shkruan Balla.
Fraksion.com