AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Banka serbe: Mjetet e klientëve të Bankës Kursimore janë të sigurta pas aksionit policor në veri

Mjetet e të gjithë klientëve të Bankës Kursimore të Postës janë të sigurta dhe nuk do të dëmtohen pas aksionit policor të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës, tha të martën banka serbe.

Në një njoftim për media, banka tha se, përkundër “ndalimit të përkohshëm” të funksionimit të degëve në veri të Kosovës, klientët mund të kryejnë të gjitha shërbimet bankare në degët më të afërta, të cilat ndodhen në vendkalimet kufitare me Kosovën: Jarinjë, Bërnjak, Merdare dhe Konçul.

Po ashtu, të gjithë punëtorët e Bankës Kursimore të Postës në veri të Kosovës mbeten të punësuar, sipas njoftimit.

Serbia ngriti degë të improvizuara të kësaj banke, të destinuara për serbët nga Kosova, në afërsi të katër pikave kufitare muajin e kaluar.

Autoritetet në Kosovë kryen të hënën një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat me shumicë serbe.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se u gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë (mbi 600.000 euro), rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.

Aksionin policor në veri, zyrtarë të lartë në Serbi e dënuan ashpër, duke e cilësuar “të paligjshëm”.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës ndërmori aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASH-i shtoi se aksioni nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës u krye një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani.

 

Fraksion.com