AktualitetTë fundit

Kërcënimi i burrit të gjyqtares Saida Dollani/ Hetimi zbuloi si u organizua nga Shullazi në bashkëpunim me Ervis Martinajn dhe ish-deputetin Ndoka

Një ndër ngjarjet e rënda që ka zbuluar operacion i fundit i SPAK është dhe dhunimi që i është bërë bashkëshortit të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani.

Kjo e fundit vijon të ushtrojë detyrën e saj në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ndërsa bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë.

Edhe në bisedat e SKY të zbardhura nga SPAK, ka rezultuar se organizator i dhunimit dhe më pas vendosjes së pistoletës në gojë të burrit të gjyqtares, është Emiljano Shullazi.

Policia në atë kohë arrestoi një person, por shumë shpejt ai u lirua dhe më pas çështja për akuzën e “Kanosjes ndaj gjyqtarit” dhe rrahjes së bashkëshortit të Dollanit u pezullua nga prokuroria e Tiranës, për mungesë autori.

Çështja u pezullua edhe pse raportimet dhe dyshimet e para krijonin bindjen se gjithçka ishte bërë nga brenda burgut me qëllim që Saida Dollani të jepte dorëheqjen nga procesi penal kundër Shullazit, Gilmando Danit dhe 4 personave të tjerë që po zhvillohej në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Sipas dosjes penale të finalizuar nga SPAK me 50 persona të arrestuar, njerëzit kryesorë që kanë bërë të mundur rrahjen brutale të burrit të Saida Dollanit, janë Emiljano Shullazi, ish-deputeti i PS Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj.

Burri i gjyqtares denoncoi se u kërcënua me pistoletë në prill të vitit të kaluar, teksa gruaja ishte pjesë e trupës gjyqësore të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.

“…në një moment dola për të pirë një cigare nga një lokal ku isha me një mikun tim. Në atë moment kaloi gruaja ime me një shoqe dhe vajzën e saj, ndërsa pak minuta më pas erdhi një djalë i ri rreth 20-22 vjeç. Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë, më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë dhe mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’. Kërcënimi ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në gjykatën e Apelit për Krime të rënda…”-është shprehur mes të tjerash ai.

Saida Dollani u largua nga procesi gjyqësor i Shullazit, ndërsa për rastin e kërcënimit nisën hetimet në Prokurorinë e Tiranës. 10 muaj më pas prokurorja Ida Ahmetlli kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa gjykata e kundërshtoi duke e rikthyer për vijimin e hetimeve.

Sërish çështja nuk mundi të zbardhej duke shkuar drejt pezullimit të saj. Procesi i Shullazit ngeci në Apel, ku ky i fundit dhe grupi i tij apeluan vendimin e shkallës së parë. Dënimi i tyre në Apel u dha pa prezencën e avokatëve mbrojtës, ndërsa çështja tashmë është në Gjykatën e Lartë.

Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe në Apel me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobë vënie dhe kanosje për shkak të detyrës.

Pjesë e këtij grupi ishin Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja.

 

Fraksion.com