“Xibraka”, Olsi Rama sërish kallëzim penal në SPAK për Gazment Bardhin
Olsi Rama ka paditur sërish në SPAK kreun e grupit të PD-së, Gazment Bardhi, pas akuzave të demokratit se vëllai i kryeministrit është i përfshirë si pjesë e trafikut në laboratorin e Xibrakës.
Në kallëzimin e bërë, Olsi Rama sjell në vëmendje të prokurorëve të SPAK edhe statusin e publikuar nga Bardhi, i cili thotë se SPAK e ka njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve.
“Kërkoj regjistrimin e kallëzimit penal në ngarkim të Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të kallëzimit të rremë të parashikuar në nenin 305 të Kodit Penal. Kërkoj marrjen e akteve të materialeve të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024 të regjistruara nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe korrupsionit sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal”, thuhet në kallëzimin e Olsi Ramës.
Po ashtu, kallëzimit i janë bashkëngjitur adresa të internetit e statuse të Bardhit, si dhe përmbajtja e printuar e tyre. Ky është kallëzimi i dytë i Olsi Ramës ndaj Bardhit.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi Olsi Ramën si të përfshirë në grupin kriminal të trafikut të drogës që kishte në posedim edhe laboratorin e Xibrakës.
Fraksion.com