Pakt i migracionit: Të rejat nga politika europiane e azilit
Si do të zhvillohen proceset e azilit në kufijtë e jashtëm?
Mbas mbërritjes me rrugë tokësore, detare, apo ajrore azilkërkuesit dhe refugjatët, duhet të identifikohen brenda shtatë ditësh dhe të regjistrohen në të dhënat e zgjeruara biometrike, “Eurodac”.
Migrantët nga shtetet me kuotë pranimi nën 20 përqind do të mbahen në kufi, pa lëvizur për një periudhë kohore maksimumi 12 javë. Në këto kampe që duhet tani të ngrihen në Greqi, Itali, Maltë, Spanjë, Kroaci dhe Qipro do të merret vendimi se kush do të kthehet mbrapsht në vendlindje, pa qenë nevoja për të bërë verifikime të tjera. Kjo prek një pakicë të të ardhurve. Kapaciteti i këtyre kampeve duhet të jetë në gjithë BE-në, për 30 mijë vetë.
Migrantët nga shtetet me kuotë më të lartë pranimi do të hyjnë në proces normal azili. Ky proces, që mund të zgjasë sot për vite të tëra, duhet kryer në periudhë më të shkurtër kohore. Azilkërkuesit, kërkesa e të cilëve refuzohet, duhet të dëbohen direkt prej kufijve të jashtëm.
Si do të lehtësohen shtetet që ndodhen në kufijtë e jashtëm?
Shtetet e BE-së, në të cilat emigrantët mbërrijnë së pari do t’ua japin shteteve të tjera të BE-së një pjesë të azilkërkuesve ose emigrantëve që kanë shanse të mëdha për të marrë azilin. Midis shteteve anëtare të BE-së, duhet të sundojë një „solidaritet i detyrueshëm”. Shtetet si Hungaria, që nuk duan të pranojnë njeri, duhet të paguajnë një kompesim ose t’i dërgojnë personel dhe pajisje shteteve të BE-së, ku emigrantët hedhin hapin e parë kur hyjnë në BE. Shuma për kompesimin është 20 mijë euro për çdo migrant që nuk pranohet.
Ky system kompesimi nuk është vendosur me ligj, por duhet parë nga rasti në rast nga vendet anëtare. Nëse një vend ndihet i mbingarkuar, atëherë ai mund t’i lehtësojë ligjet dhe të kërkojë më shumë solidaritet. Në rast se ndodh ky “rast krize”, atëherë të 27 shtetet i marrin vendimet së bashku. Është lënë pra kështu shumë hapësirë për grindje politike.
Si do të lehtësohen vendet e synuara nga migrantët?
Shumë azilkërkues kanë dashur deri tani që nga Greqia apo Italia të shkojnë direkt në Gjermani, Austri, Francë ose Holandë e Belgjikë. E njëjta gjë vlen edhe për azilkërkuesit, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar. Shteti ku migrantët shkojnë fillimisht, si përshembull Italia, do ishte faktikisht i detyruar t‘i pranojë sërish ata migrantë, kërkesa për azil e të cilëve nuk është pranuar nga vendet e tjera. Por në praktikë kjo gjë nuk ndodh. Pakti i ri i Migracionit e përpunon edhe një herë këtë rregull. Joshjet për migracion të brendshëm në BE, të ashtuquajturat faktorë tërheqës, duhen dobësuar nëpërmjet vendosjeve të kushteve të pranimit dhe pagesave të unifikuara në gjithë BE-në.
Do të thjeshtësohen dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar?
Pakti i ri i Migracionit parashikon që në të ardhmen njerëzit të dëbohen më herët dhe do të kthehen në vendet që janë shpallur vende të sigurta origjine ose tranziti. Për këtë BE është duke u munduar të arrijë më shumë marrëveshje me vendet e treta, në mënyrë që këto të pranojnë më shumë migrantë të refuzuar. Si shembull këtu përmendet shpesh marrëveshja e arritur së fundi me Tunizinë. Me anë të ndihmave ekonomike, Tunizia ka deklaruar të pranojë sërish qytetarët e vet. Kurse njerëzit nga Afrika poshtë Saharasë, që migrojnë në BE nëpërmjet Tunizisë, qeveria tuniziane ka thënë se nuk do t’i lejojë të hyjnë në Tunizi. Një marrëveshje e arritur me Turqinë në vitin 2016, bëri që për katër vjet me rradhë në Greqi të hyjnë më pak refugjatë sirianë. Ndërkohë kjo marrëveshje nuk është më në fuqi, sepse Turqia nuk i pranon më sirianët që vijnë nga Greqia.
Si mund të pengohet parashtrimi disa herë i kërkesave për azil?
Mbrojtësit e kufirit të BE-së, do të bëjnë në të ardhmen regjistrimin e të gjitha hyrjeve në BE, pa krijuar boshllëqe dhe do t’i hedhin të dhënat biometrike në një bankë të zgjeruar të dhënash, që do të përdoret nga të gjitha autoritetet e Europës. Kështu do të shihet nëse një migrant, kërkesa e të cilit nuk është pranuar në Greqi, të bëjë përshembull kërkesë për azil edhe në Austri, ose të udhëtojë në shumë vende të BE-së. Këta azilkërkues do të detyrohen më lehtë të kthehen në vendin ku kanë shkelur së pari BE-në dhe nga andej, në vendin e origjinës. Përpjekja për të detyruar regjistrimin është bërë disa herë që nga viti 2015. Banka e deritanishme e të dhënave, Eurodac, në të cilën ruhen vetëm shenjat e gishtave, ka pasur boshllëqe të mëdha dhe mangësi teknike.
Pse mbetet i diskutueshëm Pakti i Migracionit?
Ata që e përkrahin Paktin argumentojnë se ashpërsimi i rregullave dhe proceseve, që çojnë në dëbime më të shpejta, do të ndikojë në vazhdimësi në krijimin e klimës së frikësimit. Kështu më pak njerëz do të marrin rrugën e migracionit, sepse shanset për të qendruar në Europë me një kërkesë të refuzuar azili ose pa një proces tjetër të rregullt, do të pakësohen.
Ata që e kritikojnë Paktin ankohen se e drejta e azilit në BE është dobësuar dhe në të ardhmen do të dëbohen edhe ata që kanë vërtet nevojë për mbrojtje. Vdekja e refugjatëve në Detin Mesdhe do të vazhdojë.
Si do bëhet më tej?
Tani, meqenëse ligjet dhe dekretet e ndryshme të Paktit të Migracionit, duhet të zbatohen, pritet të shihet nëse dhe si të gjitha shtetet anëtare të BE-së do t’i respektojnë detyrimet e reja. A do të ngrejë Italia kampe të mbyllura në kufi? A do të tregojnë vërtet solidaritet për të pranuar migrantët ose për të financuar pranimin e tyre vendet e veriut dhe lindjes së Europës? Zbatimi i rregullave të reja do të zgjasë deri në dy vjet. Kështu që pas disa vitesh do të shihet nëse numri i azilkërkuesve do të bjerë vërtet./DW
Fraksion.com