AktualitetBota+Të fundit

Inspektorët: Anija e mallrave pësoi avari elektrike para se të përplasej me urën në Baltimorë

Anija e mallrave Dali pësoi një avari elektrike rreth 10 orë përpara se të largohej nga porti i Baltimorës dhe përsëri pak para se të përplasej me urën “Francis Scott Key” duke shkaktuar vdekjen e gjashtë punonjësve të mirëmbajtjes së urës, thanë hetuesit federalë të martën.

Ndërprerja e energjisë ndodhi pasi një pjesëtar i ekuipazhit mbylli gabimisht një pajisje për shkarkimin e tymit, duke shkaktuar bllokimin e motorit të anijes, thuhet në raportin paraprak të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit, NTSB. Menjëherë pas largimit nga porti, anija u përplas me një nga kolonat mbajtëse të urës pasi një tjetër ndërprerje e energjisë çoi në humbjen e kontrollit të anijes.

Raporti ofron detaje të reja mbi trajtimin e problemeve nga ana e ekuipazhit pas avarisë elektrike ndërsa anija ishte e ankoruar në Baltimorë. Hetimi i plotë mund të zgjasë një vit ose më shumë, sipas zyrtarëve. Testimi i karburantit të anijes nuk nxori në pah ndonjë problem me cilësinë e naftës, sipas raportit.

Pas ndërprerjes fillestare të energjisë, gjeneratori për raste emergjente i përdorur për disa muaj u ndez automatikisht, thonë hetuesit. Presioni i pamjaftueshëm i karburantit bëri që gjeneratori të shuhej, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë për herë të dytë.

Pjesëtarët e ekuipazhit ndryshuan konfigurimin elektrik të anijes, duke vënë në punë një transformator që anija kishte përdorur pas nisjes, thuhet në raport.

“NTSB është ende duke hetuar konfigurimin elektrik pas ndërprerjes së parë në port dhe ndikimeve të mundshme përpara aksidentit”, thanë hetuesit.

Bordi i sigurisë nisi hetimin e tij pothuajse menjëherë pas shembjes së segmentit të urës, që shkaktoi rënien në ujë dhe vdekjen e gjashtë punonjësve të mirëmbajtjes.

Sipas raportit paraprak, në orën 1:25 të mëngjesit më 26 mars, ndërsa anija Dali ndodhej më pak se një kilometër larg urës, siguresat ndërprenë furnizimin e rrjetit kryesor elektrik që ushqen shumicën e pajisjeve dhe ndriçimin, duke bërë që anija të humbasë kontrollin.

Motori kryesor me naftë ndaloi punën pasi pompat humbën fuqinë. Ekuipazhi vuri në punë gjeneratorin për prodhimin e energjisë dhe pastaj kërkuan ndihmë nga rimorkiatorët. Kapiteni i anijes dha urdhër për hedhjen e spirancës. Më pas ndodhi ndërprerja e dytë e energjisë dhe ekuipazhi paralajmëroi trafikun ujor. Anija goditi urën duke shkaktuar shembjen e një segmenti të saj brenda disa sekondash.

Byroja Federale e Hetimeve ka nisur gjithashtu një hetim penal lidhur me rrethanat që çuan në shembjen e urës.

Pasojat mund të kishin qenë shumë më të mëdha nëse policia nuk do të kishte vepruar me shpejtësi për të ndaluar trafikun. Brenda rreth 90 sekondash, pas paralajmërimit të një dispeçeri në radio se një anije masive mallrash kishte humbur kontrollin dhe po shkonte drejt urës, oficerët e policisë arritën të ndalonin trafikun e automjeteve në të dyja anët e urës.

Anija e kontejnerëve Dali nga Singapori, po nisej nga porti i Baltimorës për në Sri Lanka kur u përplas me urën./VOA

 

Fraksion.com