Gjekmarkaj dhe Bardhi në Bundestagun gjerman, zbardhet kërkesa e opozitës: Është cënuar klima, Qeveri Teknike si në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut!
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe nënkryetari i kësaj force politike, Agron Gjekmarkaj, janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të Bundestag në Gjermani. Përfaqësuesit e PD, u takuan sot në Bundestagun gjerman me Josip Juratoviç, kryetar i Grupit të Miqësisë, Shqipëri-Gjermani dhe me Tomas Haker, zv/kryetar.
Ka qenë Gjekmarkaj që ka treguar detaje nga takimi në fjalë, përmes një mesazhi në “Facebook’. Ai theksoi se demokratët kanë parashtruar para zyrtarëve gjermanë kërkesën e opozitës për Qeveri Teknike si në Greqi apo Maqedoninë e Veriut, meqënëse klima e mirëbesimit mes palëve është cenuar.
MESAZHI I GJEKMARKAJT
Sot së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, njëkohësisht Nënkryetar i PD-së, z.Gazment Bardhi zhvilluam një takim në Bundestag me z.Josip Juratoviç, Kryetar i Grupit të Miqësisë, Shqipëri -Gjermani dhe me z.Tomas Haker, Zv.Kryetar. I falanderova mikpritësit tanë për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 34 viteve në rrugetimin e saj drejt Europës, demokracisë, ekonomisë së tregut dhe në forcimin e shtetit ligjor. Shpreha të vertetën e shqiptarëve që integrimin në Bashkimin e Europian e shohin si të vetmen rrugë duke gjykuar nga përkatësia historike, kulturore, shpirtërore e politike.
Njoha miqtë me disa nga shqetësimet tona kryesore si mospërmbyllja e një reforme zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, si parakusht themelor për zgjedhje të lira dhe të ndershme!