AktualitetTë fundit

Balla: Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla mori pjesë sot në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të punonjësit të policisë të forcave “Shqiponja” në DVP Fier, Novruz Cenalia, i cili u vra para dy ditësh me armë zjarri nga një shtetas, i shpallur në kërkim.

Në homazhet që u mbajtën në Teatrin “Bylis” në Fier, ministri Balla u shprehu ngushëllimet familjarëve të punonjësit të policisë, kolegëve e eprorëve të tij.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Balla shkruan se “kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit.”

“Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë në marrëdhënien, sjelljen dhe respektin ndaj punonjësve të policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shprehet ministri Balla.

Më herët ai u shpreh se Policia e Shtetit do të bëjë gjithçka për arrestimin e autorit, ndërkohë që i ka bërë thirrje familjarëve dhe vetë autorit të dorëzohet.

 

Fraksion.com