Babai mban peng 2 fëmijët e mitur. Qëllon me kallashnikov drejt forcave RENEA
Një ngjarje e rëndë është shënuar në Durrës, pasi dy të mitur mbaheshin peng në banesë nga babai i tyre. Mësohet se 40-vjeçari Aleks Marku mbante mbyllur brenda një apartamenti në zonën ‘Shkëmbi i Kavajës’ dy djemtë e tij të moshës 6 dhe 11 vjeç, ku në banesë janë dëgjuar shpesh edhe të shtëna.
Ndërkohë 40-vjeçari ka qëlluar me armë edhe drejt forcave RENEA, pasi refuzonte të vetëdorëzohej. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje.
“Qëlloi me armë zjarri, nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, pas disa orësh negociata, RENEA hyri në banesë dhe liroi fëmijët. Gjithashtu, RENEA vuri në pranga autorin dhe i sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov. Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç. Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë. Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.
Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit Aleks Marku, të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës Gjithashtu, Policia nxori të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë. 40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale.
Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim”, njofton policia.
Fraksion.com