Çela: Nuk ka problematika me Kodin Penal, shqetësim mbetet procedura penale
Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, tha sot se nuk ka informacion që ka problematika me Kodin Penal, por sipas tij, shqetësim mbetet procedura penale.
Kryeprokurori Çela ishte i pranishëm sot në Komisionin për Çështjet Ligjore të Kuvendit, ku prezantoi raportin vjetor të vitit 2023 për kriminalitetin. Ai tha se nuk janë evidentuar probleme me mungesa të veprave penale, por me procedurën.
“Nga lindi nevoja për një kod të ri penal? Të jepen argumente nga kushdo që ka nevojë. Çfarë kërkojmë me një kod të ri penal? Duhet një debat i madh publik. Duhet të diskutohen se si do të jenë raportet me ashpërsimin apo lehtësimin me disa masa penale. Do jetë kod që do ketë fleksibilitet për masa alternative? Cilat do jenë modelet? Nuk kam informacion se kodi penal aktual po krijon vështirësi në funksionimin e shtetit, shoqërisë. Atëherë do bëjmë kod nga asgjëja? Pa asnjë bazë? 38% e prokurorëve i mungojnë sistemit. Thelbi që kemi është për çështjet që lidhen me procedurën penale”, tha Çela.
“Kemi nevojë të shohim se çfarë nuk shkon me procedurën penale. Duhet nga ana juaj të dëgjohen propozimet tona për procedurën penale. Nuk ka dalë askush i pandëshkuar falë Kodit Penal”, tha Çela.
Ai tha se “në diskutimet për Kodin Penal duhet parë dhe si do trajtohen veprat penale të narkotikëve, apo drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit. Kemi tendencë të kriminalizojmë shoqërinë me masa represive. Duhet të identifikojmë problemet, 10, 20 etj., dhe meriton debat të madh shoqëror, publik. S’duhet polarizuar debati, pasi instinkti i parë është për të qenë represiv, që cenon marrëdhëniet mes individëve. Ka mënyra të tjera, problem sot mbetet funksionimi i të gjitha strukturave shtetërore të drejtësisë penale”.
Kryeprokurori Çela theksoi më tej se është i nevojshëm edhe ndryshimi i ligjit për sistemin e vlerësimit të prokurorëve në Shqipëri.
Fraksion.com