AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Komisioni i Jashtëm miraton në unanimitet marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Italinë

Komisioni për Politikën e Jashtme i Kuvendit ka miratuar me votë unanime marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Italinë.

Në mbledhjen Komisionit të Politikës së Jashtme, zhvilluar këtë të hënë në kryesinë e Kuvendit, ishte zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani që paraqiti nismën. Sipas saj, kjo marrëveshje kujdeset që të gjithë qytetarët shqiptarë dhe ata italianë të kenë trajtim të barabartë, pavarësisht vendit ku jetojnë.

“Projektligji që paraqesim sot është një garanci shtesë për qytetarët e të dy vendeve tona. Pr/ligji garanton që asnjë qytetar nuk humbet asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku ka punuar, duke mundësuar kështu plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dyja vendet”, tha Manjani.

“Gjithashtu marrëveshja konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë, të punëtorëve në punësim, në trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Objekti i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore të cilat përfshijnë: Sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar; Sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë”, shtoi Manjani.

“Përfitimet nga skema italiane e sigurimeve janë sigurimi i përgjithshëm i detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar dhe trajtimi i posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar, pra artizanë, tregtarë dhe fermerë”, bëri të ditur zv/ministrja Manjani.

“Sigurimi për përfitimin për sëmundjet, ku përfshihet dhe tuberkulozi dhe barrëlindja; papunësia dhe skemat e posaçme zëvendësuese e të veçanta të sigurimit të krijuara për kategori të caktuara punonjësish, mbasi ato u referohen shërbimeve apo rreziqeve që mbulohen nga legjislacionet e të dy vendeve.

Zbatimi i marrëveshjes nuk do të ketë efekt financiar të menjëhershëm. E drejta nga përfitimet shtetasve shqiptarë dhe italianë, iu lind në një periudhë të dytë, kur të kenë mbushur moshën për pension. Trajtimi i barabartë, u mundëson shtetasve të kenë të njëjtat të drejta dhe detyrime për mbrojtjen shoqërore, ashtu sikundër dhe vendasve”, vijoi ajo.

Manjani më tej tha se marrëveshja “parashikon që periudha e kontributeve të realizuara në një shtet të njihen edhe nga shteti tjetër, por me kusht që të mos mbi vendosen. Dhe totali i periudhave, që nënkupton bashkimin e periudhave kontributive, për të përmbushur afatin prej 15 viteve që duhen për t’u kualifikuar për të përfituar pension”.

Ajo kujtoi se “numri i bizneseve italiane në Shqipëri rezulton të jetë 5775. 4605 prej tyre, kanë 100% me pronësi të huaj dhe 1170 me pronësi të përbashkët, shqiptare dhe të huaj. Nga Ministria e Brendshme, rezulton se në vitin 2022 kanë qenë rreth 2948 shtetas italianë në Shqipëri, në 2023 kanë aplikuar për herë të parë 1005 italianë dhe 3953 italianë ndodhen në Shqipëri aktualisht me leje qëndrimi. Shqipëria mbetet e angazhuar për mbrojtjen shoqërore të shtetasve të huaj”, tha Manjani.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu u shpreh se marrëveshja është pozitive, por mbetet shqetësim largimi masiv i shqiptarëve.

“Kemi largim masiv të të rinjve. Skema e pensioneve në Shqipëri është në rrezik, prandaj më lind pyetja, se si do përballohet skema e pensionit. Largimet masive të të rinjve, ku më shumë se gjysma e popullsisë, ka bërë që këtu të vihen në rrezik shumë gjëra, kolonat sociale të vendit. Parimisht jam dakord me marrëveshjen”, tha Shehu.

Deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli tha se “marrëveshja është e mirëpritur, kjo dhe për shkak të numrit të lartë të shqiptarëve që jetojnë në Itali. E shqetësuar jam për nenin 19, ku flitet për marrëveshjen administrative. Ne s’kemi asnjë informacion në lidhje me marrëveshjen administrative”, tha Bardeli.

Zv/ministrja Olta Manjani u shpreh se kjo marrëveshje, për të cilën Bardeli shprehu shqetësim, është teknike. “Nuk kërkon miratim nga Kuvendi. S’ka qenë asnjëherë pjesë e ratifikimit në parlament. Në qershor do ulemi në raund tjetër negociatash për specifikimin e marrëveshjes administrative”, përfundon zv/ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani.

Shqipëria nga 2005 deri më sot ka nënshkruar marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Kosovën dhe Konfederatën e Zvicrës. Pritet të hyjë në fuqi dhe marrëveshjet me Malin e Zi, Kroacinë e Bullgarinë. Në proces janë marrëveshjet me Poloninë, Spanjën dhe Serbinë. Kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

Fraksion.com