Gonzato: Administrata, rol kyç për integrimin e Shqipërisë së BE
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, tha sot se roli i administratës publike është kyç për suksesin e negociatave për integrimin në BE.
Gonzato ishte këtë të hënë i pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në përmbyllje të projektit “Young Cells Albania”, i financuar nga BE. Projekti kishte si qëllim rritjen e kapaciteteve të nëpunësve civilë të administratës publike. BE i dha mundësi nëpunësve të rrisin aftësitë e tyre përmes trajnimeve, praktikave dhe vizitave studimore në administratat e vendeve anëtare të BE-së.
“Kjo fazë u ka dhënë 23 nëpunësve të rinj të administratës publike mundësinë për t’u formalizuar me legjislacionin e BE-së, por edhe me mënyrën si zyrtarë të administratës publike të BE-së punojnë. Siç u tha, vjen në një kohë mjaft të mirë, në kohën kur Shqipëria ka mbërritur në një fazë kritike në bisedimet për anëtarësim. Një fazë ku rëndësia e administratës publike, një administratë publike e cila është kompetente, që është e pavarur, që është transparente është kyç për suksesin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit”, u shpreh ai.
Gonzato e cilësoi administratën si “makineria përmes së cilës përparësitë politike të një vendi zbatohen”.
Sipas diplomatit të BE, administrata publike është pjesë e grupkapitujve në fushën e integrimit. “Është kapitulli që do të çelë negociatat e do t’i mbyllë ato. Kapaciteti i administratës do të jetë edhe më i rëndësishëm kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE, sepse duhet të përshtateni me kushtet e tregut të përbashkët dhe që të jeni në gjendje të përdoren efektivisht instrumentet që BE vendos në dispozicion të shteteve anëtare”, tha ai.
Fraksion.com