“U thotë ‘Krenar për Ju’”, Gazment Bardhi për takimin e Ramës në Athinë: Rama i detyroi shqiptarët të largohen
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, gjatë një takimi me strukturat në Kukës, ironizoi takimin e kryeministrit me emigrantët në Athinë, duke theksuar se e vetmja gjë që u ofroi, ishte një koncert. Bardhi tha se pasi i detyroi shqiptarët të emigrojnë për shkak të vrasjes së shpresës, Edi Rama shkon dhe tallet nën moton “Krenar për Ju”.
“Rama shpopulloi vendin dhe shkon në Greqi me moton “Krenar për ju”. Ai nuk i ka bërë krenarë shqiptarët, por i detyroi të largohen. Edhe sot, atje në Athine nuk po u ofron asgjë veç një koncerti. Si mundet një qeveri t’i bëjë krenarë qytetarët e saj? Jo duke bërë konkrete, por duke u ofruar një ekonomi me të mirë, pensione më të mira, shkollim më të mirë, rroga më të mira, spitale më të mira. Këtë nuk e ka bërë Edi Rama, prandaj vendi është shpopulluar”, tha ai.
Gazment Bardhi, tha se të flasësh se si qeveris Edi Rama, është humbje kohe për faktin se këtë, më mirë se gjithkush, e dinë qytetarët të cilët vuajnë çdo ditë.
“Është koha që të kalojmë Në veprime. Të bëhemi bashkë që, këtë vit, të bëjmë realitet atë që Kukësi e nisi në vitin 2021: largimin e Edi Ramës.”
Bardhi tha se rruga nuk është e lehtë, por ai beson se sa herë demokratët janë bërë bashkë, fitorja ka qenë e sigurt.
“Na duhet shumë më shumë punë se në vitin 2021. Edi Fama është pasuruar dhe ka më shumë para të pista se në vitin 2021, për të blerë zgjedhjet. Po është detyra jonë që ne të pasurohemi me mendjen dhe zemrën e qytetareve shqiptarë. Të fitojmë besimin e tyre për ta rikthyer Partinë Demokratike në pushtet, si e vetmja rrugë për zhvillimin e vendit.”.
Fraksion.com