AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në 10 vitet e fundit, asnjë grek etnik s’ka pasur asnjë hall për shkak të kombësisë së tij në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë takimit me diasporën shqiptare në Athinë se “Shqipëria është mikpritëse për qytetarët grekë”.

“Grekët kanë qenë, janë dhe do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri, jo vetëm për t’a vizituar, por edhe për të jetuar dhe punuar. Nuk u krijon asnjë telash. Madje u krijon kushtet edhe ndonjë politikani që vjen atje atje për fushatë dhe humb zgjedhjet këtu”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se “ju shqiptarët e Greqisë jeni dëshmia më e madhe, më e fortë, më e bukur e kësaj ndërlidhjeve me miliona fije të pathyeshme të fateve të dy kombeve”.

Më tej, kryeministri Rama deklaroi se “një grek etnik në 10 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë hall për shkak të kombësisë së tij”.

“Në asnjë rast grekëve etnikë nuk u është mohuar nga shteti shqiptar e drejta e besimit, gjuhës apo pronës. Kurrë nuk u është mohuar e drejta e votës për shkak të origjinës së tyre”, vijoi ai.

Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “Shqipëria është një ndër shembujt më përparimtarë në këtë drejtim”.

“Sikurse është minoriteti grek një thesar i shkëlqyer që funksionon sot brenda një kornize garancish dhe faktesh që bën Shqipërinë një ndër shembujt më përparimtarë në këtë drejtim. Ata grekët e Shqipërisë kanë halle, kanë probleme. Pa diskutim duhet të bëjmë edhe më shumë për ta, por e vërteta e madhe jashtë fushës së vogël të lojërave politike është se asnjë hall dhe problem i tyre nuk është i ndryshme nga hallet dhe problemet e shqiptarëve. Në një vend si i yni që përparon përditë po ku plagët e trashëgimisë negative të të së shkuarës nuk janë ende plotësisht të mbyllur, ama kurrë asnjë herë, në asnjë rast një grek etnik në Shqipërinë e viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall problem për shkak të kombësisë së tij”, deklaroi Rama.

Fraksion.com