Kriza diplomatike mes Athinës dhe Shkupit Presidentja iu referua vendit si “Maqedonia e Veriut”, ambasadorja e Greqisë braktis sallën u udhëzua nga…
Ambasadorja greke në Maqedoninë e Veriut, Sofija Filipidu lëshoi seancën e inaugurimit të presidentes së re të vendit, Gordana Siljanovska Davkova.
Largimi ndodhi në shenjë proteste, sepse Siljanovska-Davkova në betimin solemn për presidente nuk e përdori emrin kushtetues të vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut, por iu referua thjeshtë si “Maqedonia”.
Siç bëjnë të ditur nga Ambasada e Greqisë, ambasadorja Filipidu u largua nga seanca solemne pas udhëzimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.
Për shkeljen e Marrëveshjes së Prespës ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila “kërcënoi” Maqedoninë e Veriut duke u shprehur se rruga drejt BE kalon nga respektimi i Marrëveshjes së Prespës.
Gjatë betimit të saj sot në parlament dhe përkundër faktit se teksti zyrtar i betimit që i diktohej asaj i referohej vendit si “Maqedonia e Veriut”, presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zonja Silianovska-Davkova, zgjodhi ta quante vendin e saj “Maqedoni”.
Ky akt shkel në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Prespës si dhe Kushtetutën e shtetit fqinj, e cila është harmonizuar me detyrimet e tij ndërkombëtare. Qeveria greke, megjithë kundërshtimet që kishte shprehur kur ishte në opozitë gjatë ratifikimit të marrëveshjes, e respektoi atë si një traktat ndërkombëtar të ratifikuar që ka përparësi ndaj çdo dispozite tjetër të ligjit”.
Ministria e Jashtme e Greqisë, gjithashtu thekson kategorikisht në këtë kontekst, se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut si dhe rruga evropiane e kësaj të fundit varen nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe mbi të gjitha nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit.
Siç theksojnë mediat greke, Silianofska nuk ka respektuar as mesazhin e ashpër të Presidentes së Komisionit Ursula e cila i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut të respektojë Marrëveshjen e Prespës.
“Në mënyrë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është me rëndësi të madhe që vendi të vazhdojë kursin e tij reformues dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj personale në X.
Fraksion.com