AktualitetTë fundit

Siguria e instalimeve elektrike në shkolla, Zaimi: Aksioni në të gjithë vendin

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) ka nisur një aksion në të gjithë vendin sa i takon masave të sigurisë së instalimeve elektrike, kaldajave dhe enëve nën presion, apo bombolave të gazit që përdoren në institucionet arsimore.

Aksioni po kryhet në institucionet publike, private, në njësitë akomoduese dhe bare e restorante që përdorin pajisje për ngrohje dhe për gatim.

Kryeinspektori i ISHTI-it, Sokol Zaimi në një prononcim për ATSH-në bën të ditur se qëllimi i inspektimeve është krijimi i pasaportës së sigurisë, ku përshihen dokumentet tekniko-ligjor, lidhur me masat që merren për të parandaluar çdo ngjarje të rrezikshme.

Boshti i kësaj pasaporte është dokumenti teknik, ku përfshihen instalimet elektrike, certifikimi i pajisjeve nën presion si dhe mirëmbajtja e tyre.

“Problematika që kemi hasur deri tani është mungesa e informimit që kanë subjektet për detyrimet ligjore”, tha Zaimi.

Zaimi thotë se inspektorët e ISHTI-t do të verifikojnë në terren kushtet e sigurisë, duke lënë edhe detyra konkrete kudo ku do të evidentohen problematika.

Janë më shumë se 3 mijë institucione arsimore në të gjithë vendin që do të jenë pjesë e kontrolleve nga ana e inspektorëve të ISHTI-t.

Fraksion.com