Putin riemëron Mishustinin në postin e kryeministrit
Ligjvënësit rusë në Dumën shtetërore – Dhomën e Ulët të Parlamentit rus – kanë miratuar nominimin e Mikhail Mishustin në postin e kryeministrit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, propozoi riemërimin e Mishustinit të premten. Mishustin, një teknokrat ka ndihmuar presidentin rus përgjatë luftës në Ukrainë dhe sfidave me të cilat është përballur ekonomia ruse për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi për shkak të luftës ndaj Kievit.
Në Parlamentin rus nuk ka pothuajse fare kundërshti, teksa ky institucion mbështet Putinin në të gjitha vendimet, përfshirë edhe atë të shkurtit të vitit 2022 për të pushtuar Ukrainën fqinje.
Deputetët nga partia opozitare, Partia Komuniste, abstenuan gjatë votimit për emërimin e Mishustinit në postin e kryeministrit.
Siç kërkohet me ligj, Qeveria dha dorëheqje para se Putini – që udhëheq me Rusinë për pothuajse një çerek shekulli – bëri betimin të martën për mandatin e ri gjashtëvjeçar në postin e presidentit, pas rizgjedhjes së tij në votimet e marsit.
Nuk ka sinjale që Putin planifikon të riformatojë Qeverinë, në të cilën përfshihen Sergei Shoigu, që udhëheq dikasterin e mbrojtjes që nga viti 2012 dhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, që udhëheqë diplomacinë ruse që dy dekada.
Mishustin pritet t’ia paraqesë përbërjen e kabinetit të tij Putinit dhe Parlamentit. Pritet që më 13 maj të votohet për zëvendëskryeministrat, ndërkaq për ministrat një ditë më pas.
Sipas analistëve, mosndryshimi i përbërjes së Qeverisë do të dërgojë mesazhin e stabilitetit dhe mesazhin që Putin është i kënaqur me punën e ekipit të tij.
Fraksion.vom