Britania dëbon atasheun rus të mbrojtjes për shkak të “aktiviteteve malinje”
Britania do ta dëbojë atasheun e mbrojtjes të Rusisë, do të heqë statusin diplomatik për disa prona si dhe do të limitojë kohëzgjatjen e vizave diplomatike, në përgjigje të asaj që sekretari i Brendshëm, James Cleverly, e cilësoi si “aktivitet malinj” të Moskës.
Britania është në mesin e disa shteteve evropiane që ndërmorën masa më 8 maj kundër Rusisë. Estonia thirri në bisedë kreun e Amnasadës ruse për të protestuar ndërhyrjen në sinjalin e GPS-it dhe Polonia tha se ishte shënjestuar nga një sulm kibernetik nga një grup i lidhur me Rusinë.
Javën e kaluar, shtetet e NATO-s thanë se janë “thellësisht të shqetësuara” lidhur me sulmet e fundit që ata ia atribuuan Rusisë, që shënjestruan Republikën Çeke, Estoninë, Gjermaninë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë dhe Britaninë, përfshirë edhe një rrjet spiunazhi, që hetuesit çek zbuluan se qëndronte prapa një media online.
Gjatë një adresimi para Parlamentit, Cleverly tha se Britania veçse “është një mjedis operativ jashtëzakonisht sfidues për shërbimet ruse të inteligjencës”, por masat “do të shërbejnë për të forcuar qëndrueshmërinë tonë ndaj kërcënimit rus”.
Britania ka vendosur disa runde sanksionesh ndaj kompanive dhe individëve rusë që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës dhe Cleverly tha se Qeveria konservatore nuk do të tërhiqet nga mbështetja që i ofron Kievit.
“Ne do të dëbojmë atasheun rus të mbrojtjes, i cili është një oficer i padeklaruar i inteligjencës ushtarake. Ne do të heqim statusin diplomatik nga disa ndërtesa të lidhura me rusët në Mbretërinë e Bashkuar… Do të vendosin kufizime të reja ndaj vizave diplomatike ruse, përfshirë shkurtimin e kohëzgjatjes të qëndrimit të diplomatëve rusë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Rusia do të “kundërpërgjigjet” ndaj vendimit të Britanisë.
Ajo po ashtu akuzoi Gjermaninë se po përdor mite të pabaza për hakerët rusë për të përshkallëzuar tensionet, duke shtuar se vendimi i Berlinit më herët gjatë javës që të tërheqë ambasadorin e saj për konsultime do të përkeqësojë edhe më shumë raportet./REL
Fraksion.com