Amnistia Penale, Manja: Përfituan ulje dënimi vetëm 8 nëpunës, jo zyrtarë të lartë
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u shpreh sot gjatë interpelancës në Kuvend kërkuar nga opozita sa i takon Amnistisë Penale, se vullneti i qeverisë është shprehur qartë në draftligjin që iu propozua Kuvendit, ku nuk parashikohej amnisti apo ulje dënimi për zyrtarët e lartë nën hetim nga SPAK dhe Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas Manjës, pas diskutimeve dhe ndryshimeve të propozuara në Kuvend, kanë përfituar ulje dënimi vetëm tetë persona të dënuar po që ishin nën hetim nga GJKKO.
“Ligji i propozuar nga qeveria dhe vullneti i qeverisë është shprehur në 7 nëntor 2023. Dhe ai draft e thotë qartë, është konsultuar me të gjitha organet e drejtësisë. Ministri mban përgjegjësi për draftin që i dërgon Kuvendit, por jo për atë që voton Kuvendi. S’kam mashtruar kërrkënd, kam shprehur qëndrimin e qeverisë për të mos amnistuar asnjë zyrtar të lartë të dënuar apo hetuar për korrupsion”, tha Manja.
“Ata që kanë përfituar nga amnistia me ulje dënimi e që janë dënuar nga GJKKO janë shtetas të zakonshëm, nëpunës në shërbim publik, që në mënyrë të detajuar janë 8. Asnjëri prej tyre s’është simbol i korrupsionit. Projektligji u miratua nga kuvendi, ndryshimet në draftligjin e propozuar nga qeveria iu nënshtruar procedurave kuvendore. Janë bërë diskutime në komisionin e ligjeve. Pastaj 116 deputetë dhanë votën pro kësaj amnistie”, theksoi Manja.
“Sot që flasim edhe pse është zbatuar amnistia, në IEPV janë 4918 të paraburgosur dhe të dënuar. Aministia u bë e domosdoshme nga mbipopullimi, gjendja e rënduar e paraburgimit, shëndeti i të dënuarve, rritja e kostove financiare”, theksoi Manja.
“Nga komisioni i ligjeve pati ndryshime në draft, siç ishte shtyrja e afatit të përfitimit deri më datën 31.03.2024, amnistimin e plotë 4 vite për burrat dhe 5 vite për gratë”, tha Manja.
“808 persona përfituan menjëherë nga Amnistia, prej tyre 18 gra. Përfituan ulje 905 persona. Aktualisht procesi vazhdon, në rakordim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe me SPAK. Deri më datën 6 /05/2024, janë 868 të liruar në total. Për efekte të nenit 3, u liruan 146 të dënuar. Është amnistia më e butë që ka kaluar në këtë parlament. Edhe më e butë se ajo e 2020, ku u liruan 170 të dënuar”, tha Manja.
“Amnistia shuan memorien e dënimit, ulja e dënimit jo, shumë e rëndësishme kjo. 18 prej të dënuarve nga GJKKO janë liruar më 24 prill, ndërsa 2 prej tyre u liruan pas kësaj date. Nga 20, vetëm 8 prej tyre kanë qenë të dënuar për veprën penale kundër veprimtarisë së shtetit. Nëpunës në shërbim publik pra, jo zyrtarë të lartë apo ish zyrtarë të lartë. 10 të tjerë kanë përfituar nga ulja e dënimit, si lejimi i kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 kanë qenë për tendera, apo ushtrimit të paligjshëm të funksionit”, tha Manja.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në Kuvend listoi edhe emrat e 8 përfituesve të dënuar nga GJKKO prej amnistisë penale. Sipas Manjës, kanë përfituar jo zyrtarë të lartë.
Edmond Z. I, se kam idenë çfarë zyrtari ka qenë. I dënuar për nenin 248 .. Ka qenë i dënuar 1.4 vite burg i janë falur 13 ditë
Marginglen M. i dënuar me 2 vjet burg për ‘shkelje të barazisë në tendera” i janë falur 5 muaj e 28 ditë.
Marvin M i dënuar me 2 vite i janë falur 9 muaj e 7 ditë
Admir B, nga 4 vite dënim i janë falur 3 muaj e 25 ditë
Eduard. R, është dënuar për moskallëzim krimi nga GJKKO. U dënua 3.6 vite burg, i janë falur 1 vit burg
Hamza. T, i dënuar me 1.2 vite burg i janë falur 4 muaj e 21 ditë
Ibrahim G,i dënuar me 8 muaj burg i janë falur 26 ditë
Erion.B, i janë falur 14 ditë
Lulzim Ç, është dënuar për ushtrim të ndikimi të paligjshme 1 muaj e 8 ditë.