Zgjedhje të dyfishta në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet parlamentare dhe balotazhi për presidentin e vendit. Këto zgjedhje shihen si një sprovë për të ardhmen dhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Rreth 1 milion e 800 mijë banorë kanë të drejtë vote. Sikur se edhe në vendet tjera të rajonit, shkalla e emigrimit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ka shënuar rritje në disa vitet e fundit dhe si rezultat, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje vështirë e kalon 50 përqindëshin.
Autoritetet e vendit u kanë mundësuar shtetasve në diasporë të votojnë vetëm për zgjedhjet presidenciale, por jo dhe për ato parlamentare. Megjithatë, një numër tepër i vogël i votuesve është paraqitur për të votuar në diasporë.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill, kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova mori 363 mijë vota, ndërsa Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate pak mbi 180 mijë vota. Kjo flet për një rënie të dukshme të mbështetjes ndaj social-demokratëve dhe sipas pritjeve, VMRO-ja e spektrit të djathtë, mund të fitojë me një rezultat të thellë edhe në votimet e 8 majit.
Sipas anketave, te partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim me partnerët e koalicionit “Fronti Evropian” pritet të fitojë më shumë vota, kundrejt ndaj koalicionit opozitar “VLEN”. Në raundin e parë të zgjdhjeve presidenciale, Bujar Osmani i Frontit Evropian mori 181 mijë vota, ndërsa Arben Taravari i “VLEN”-it, 83 mijë vota.
Rivalët politikë shqiptarë janë përplasur gjatë fushatës se kush do të duhej të bëhet pjesë e qeverisë së re. VLEN ka marrë ftesë publike nga VMRO-DPMNE-ja për t’iu bashkuar kabinetit të pritshëm qeveritar, ndërkohë që BDI-ja dhe Fronti Evropian pretendojnë që fituesi tek ‘blloku shqiptar’ duhet të përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv. Mirëpo, BDI-ja e shkeli parimin ‘fituesi me fituesin’ në zgjedhjet e 2017-s kur hyri në koalicionin qeveritar me LSDM-në, ndonëse VMRO-ja kishte fituar zgjedhjet. Drejtuesi i VMRO-së, Hristijan Mickovski disa herë gjatë fushatës ka përsëritur se nuk e dëshiron BDI-në në koalicionin qeveritar, teksa i akuzon përfaqësuesit e saj më të lartë për korrupsion dhe dëmtim të interesave të shtetit.
Zoti Mickovski ka vizituar para pak ditësh zotin Arben Taravari në selinë e koalicionit “Vlen” në Shkup dhe kjo ka nxitur mjaft debate në rrjetet sociale tek një pjesë e shqiptarëve, të cilët e konsiderojnë këtë parti maqedonase si nacionaliste dhe anti-shqiptare. Së fundmi, zoti Mickovski ka publikuar një fotografi në shoqëri me Johan Tarçullovskin, një i dënuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte ndaj popullatës shqiptare të fshatit Lubeten të Shkupit në konfliktin e vitit 2001. Shqiptarët nuk kanë simpati as për kandidaten për presidente të VMRO-së, Gordana Siljanovska Davkova, e cila ka folur haptazi për synimet e rishikimit të Marrëveshjes së Ohrit, një dokument që avancoi të drejtat e shqiptarëve pas konfliktit të vitit 2001.
Votat e elektoratit shqiptar në balotazh janë tepër të rëndësishme. Megjithatë, partitë shqiptare nuk u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre për të votuar ndonjërin prej garuesve maqedonas. Nuk është për t’u habitur nëse një numër i madh i shqiptarëve e bojkotojnë balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, për çka ka pasur shqetësime gjatë fushatës nga vetë kreu i VMRO-së, Mickovski.
Që zgjedhjet presidenciale të jenë të vlefshme, nevojitet dalja e mbi 40 për qind të elektoratit në votime. Përfaqësimi në raundin e parë ishte pak nën 50%. Nëse vërtet shumica e votuesve shqiptarë refuzojnë të marrin fletëvotimin për president, siç parashikon një numër analistësh, gara presidenciale mund të vihet në pikëpyetje.
Procesin e zgjedhjeve e ndjekin 770 vëzhgues të huaj dhe 1.078 vëzhgues të vendit.
Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00 dhe pak orë më pas pritet të komunikohen rezultatet e zgjedhjeve nga shtabet e partive dhe nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve./voa
Fraksion.com