Prokuroria e Tiranës i kërkon SPAK-ut të hetojë guvernatorin Sejko, reagon Banka e Shqipërisë: Gati të japim sqarimet e duhura
Prokuroria e Tiranës vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.
Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh. Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë.
Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij.
Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro.
Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet.
Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar.
Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.
Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria Micro Credit Albania si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.
Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Gent Sejko.
Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
“Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë,” thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.
E pyetur nga BIRN për referimin e guvernatorit Sejko në SPAK, Banka e Shqipërisë tha përmes një zëdhënësi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar.
“Nëse do të kemi komunikim zyrtar prej çdo organi procedimi penal, Banka e Shqipërisë do të jetë në dispozicion për të dhënë sqarimet dhe informacionet e duhura,” tha BSH.
Shoqëria “Micro Credit Albania” i mohoi akuzat për mashtrimin dhe penalizimin e kredimarrësve, ndërsa këmbënguli se e kishte bazuar aktivitetin e saj në ligjshmërinë e përcaktuar në akte, kontrata dhe vendime gjyqësore.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjegjësi penale kur ekziston vendimi i gjykatës ; subjekti që vendimi i gjykatës e konsideron ‘kreditor të një detyrimi’ nuk mashtron duke u shfaqur si ‘kreditor’, sepse një titull të tillë ia jep vendimi i gjykatës, ndërsa subjekti që vendimi i gjykatës e certifikon si ‘debitor’ nuk mund të marrë pozitën e ‘një viktime të veprës penale’ sado kallëzime të nënshkruajë/ depozitojë në Prokurori,” pretendoi MCA. /birn
Fraksion.com