AktualitetPolitikëTë fundit

Ngjarja e rëndë në Shkodër, Balla: Vijojnë kërkimet përgjatë rrjedhës së Bunës, dyshime për dhunë në familje

Ministri i Brendshëm Taulant Balla reagoi pasditen e sotme në lidhje me ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna.

Balla u shpreh se kjo ngjarje i ka tronditur të gjithë.

“Njësia e specializuar e RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike janë duke vijuar kërkimin përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna. Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik”, informoi Balla.

Ministri i Brendshëm i bëri thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune.

“Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë anjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”, përfundoi reagimin Balla në rrjetet sociale.

Fraksion.com