Ndryshimet ligjore, Balluku: Forcim i standardeve të planifikimit dhe zhvillimit të territorit
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ndryshimet në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, vijnë si domosdoshmëri për të përmirësuar procesin e zhvillimit të territorit, bazuar në problematikat që janë vërejtur gjatë zbatimit të tij të deritanishëm.
“Projektligji i propozuar synon të forcojë standardet e planifikimit dhe zhvillimit të territorit”, deklaroi Balluku në fjalën e saj në seancën plenare në Kuvend.
Konkretisht, theksoi Balluku, në projektligj propozohet krijimi i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, një organ në nivel qendror, kompetencat e të cilit do të përfshijnë krahas fushës së planifikimit dhe zhvillimit urban, edhe atë të menaxhimit të burimeve ujore, në kuadër të shqyrtimit të lejeve të zhvillimit e ndërtimit.
Sipas saj, p/ligji përcakton detajimin dhe ndarjen e kompetencave të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit sipas dy fushave, përkatësisht planifikimi urban dhe zhvillimi urban.
Përmes ndryshimeve në p/ligj bëhet detajimi i përgjegjësive të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe plotësimi i tyre me monitorimin e punimeve të ndërtimit, në zbatim të vendimeve të KKT-së.
Njëkohësisht, bëri të ditur Balluku, bën saktësimin e dokumenteve të planifikimit të territorit në nivel qendror, nëpërmjet shtimit të dy dokumenteve të reja në nivel qendror, si dhe procedurave që ndiqen gjatë miratimit/rishikimit të tyre, si dhe saktësimin e mënyrës së organizimit të Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit.
Fraksion.com