AktualitetPolitikëTë fundit

“Çështja e inceneratorit të Tiranës është serioze”, Murati analizon qëndrimin e Ramës ndaj Veliajt: Nuk po tregon entuziazëm të madh për ta mbrojtur, por…

Duke komentuar qëndrimet e kryeministri Edi Rama ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, opinionisti Erl Murati i ftuar në “Open” në News 24, tha se kryeministri nuk po tregon entuziazëm për ta mbrojtur por sipas tij, nuk ka një ndarje.

“Rama po mban një qëndrim të kujdesshëm. Nuk po tregon entuziazëm të madh për ta mbrojtur bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, por edhe nuk ka bërë një distancim siç ka bërë në raste të tjera sidomos me vartësit që i ka shkarkuar. Pak ditë më parë, Rama bëri një artikull në rrjetet sociale ku e mbrojti publikisht krye-bashkiakun. Nuk ishte një status që lavdëronte punët në Tiranë.

Fati politik i Ramës është i unifikuar me atë të Veliajt. Pavarësisht mesazheve për ftohje, nuk besoj se ka një ndarje serioze mes tyre, lind pyetja Pse. Nëse Rama do të distancohej nga Erion Veliaj, atëherë deduksioni është se edhe ky ka ngrënë kumbulla prapa shpinës. Atëherë duhet të besonim se kemi kryeministrin më të pa korruptuar në Evropë.

Bëhet fjalë për një njeri që ka lënë në duart e drejtësisë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri. Nëse ndodh edhe me Erion Veliajn, unë do të besoja se kemi kryeministrin më të pa korruptuar sepse nuk i trembet se mund ta shesin bashkëpunëtorët e tij. E kundërta është e vërtetë. Çështja e inceneratorit të Tiranës është serioze. Janë dhënë mbi 100 milionë euro dhe inceneratorit nuk ekziston.

Procedimi penal është regjistruar në 2020. Kur vidhet një magazinë, pronari merret në pyetje i pari. Edhe në 2023, kemi parë 15 veta të arrestuar dhe Erion Veliaj nuk ishte marrë në pyetje. Erion Veliaj përveç imunitetit politik de facto ka edhe një lloj imuniteti diplomat. Në një vend normal nuk do bënte lajm që një kryebashkiak thirret në SPAK. Është krijuar një lloj perceptimi që SPAK-u e ka fushën e veprimit të kufizuar dhe nuk mund të shkojë te njerëz që kanë imunitet diplomatik që është kryeministri, kryetari i bashkisë dhe disa pak politikanë”, tha Murati.

Fraksion.com