Cameron në Kiev: Britania do ta ndihmojë Ukrainën sa të jetë e nevojshme
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ia ka premtuar të enjten Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake “sa të jetë e nevojshme”.
Gjatë një vizite në Kiev të enjten, ai theksoi po ashtu se Britania nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që ia dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.
“Ne do t’i japim tre miliardë funte çdo vit sa të jetë e nevojshme. Ne sapo kemi dhënë gjithçka që kemi sa i përket pajisjeve”, tha Cameron në një intervistë për Reuters gjatë vizitës në Kiev.
Pakoja prej tre miliardë funte ndihmë ushtarake për Ukrainën është më e madhja nga Britania deri tani, sipas tij.
“Disa prej tyre [pajisjeve] janë duke mbërritur në Ukrainë sot, derisa unë po qëndroj këtu”, shtoi ai.
Cameron tha gjithashtu se Ukraina ka të drejtë t’i përdorë armët që ia jep Londra për t’i goditur caqet brenda Rusisë, dhe se i takon Kievin të vendosë nëse dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.
“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron.
Cameron, i cili e udhëhoqi Britaninë e Madhe nga viti 2010 deri në vitin 2016 si kryeministër dhe u rikthye në frontin e politikës pak muaj më parë, u takua me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij të dytë në Kiev i sekretar i Jashtëm.
Ai e përshëndeti miratimin e paketës së shumëpritur të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën në vlerë 60 miliardë dollarë.
“Kjo është tejet e rëndësishme, jo vetëm për shkak të armëve që do t’i sjellë, por edhe për shkak se do ta rrisë moralin e popullit këtu në Ukrainë”, nënvizoi ai./rel
Fraksion.com