“ “Njihet botërisht sesa e pasur është nëntoka jonë”, Balluku: Mbi 7 mijë punonjës në sektorin minerar, parësore ngritja e kapaciteteve njerëzore
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh sot se “ngritja e kapaciteteve njerëzore në industrinë minerare është parësore”.
Gjatë vizitës në impiantin e Ferrokromit të AlbChrome në Elbasan, ku u instalua sistemi i pastrimit të ajrit, Balluku vuri në dukje se “kjo ndërmarrje është krijuar në vitin 1979 dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zinxhirin e vlerave minerale të Shqipërisë”.
“Njihet botërisht sesa e pasur është nëntoka jonë me minerale, por çka është më e rëndësishme për t’u thënë është që përpunimi i këtyre mineraleve rrit vlerën e këtij zinxhiri, ndaj dhe ne e konsiderojmë të gjithë kontributin e AlbChrome, si një kontribut të rëndësishëm dhe thelbësor”, tha ajo.
Balluku theksoi se “kjo uzinë përpunon rreth 8500 tonë mineral kromi në muaj dhe prodhon rreth 3200 tonë ferrokrom të pastër duke siguruar kështu një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e vlerës dhe veprimtarisë minerare”.
“Kjo uzinë sot ka 180 punonjës të cilët paguhen me një pagë mesatare të kënaqshme për tregun dhe këtu përmbushen të gjitha standardet e sigurisë dhe ato që duhet të ketë çdo ndërmarrje që operon në sektorin minerar. Kemi gjetur një situatë aspak të mirë në këtë sektor vetëm pak vite më parë”, tha Balluku, ndërsa theksoi se para 5 vitesh ka nisur një reformë e thellë e sektorit”.
Sipas Ballukut, “100% e prodhimit të kromit në vendin tonë sot vjen nga sektori privat”.
“Kështu që është një fakt që në këtë sektor privat, në të gjithë industrinë minerare, punojnë më shumë se 7 mijë punëmarrës në të gjithë vendin, ndërkohë që prodhimi minerar arrinë 150 milionë euro në vit, duke përbërë kështu 1.5 deri në 2% të Prodhimit Bruto, shifër kjo shumë e rëndësishme, ndërkohë që eksporti arrinë 80 milionë në vit”, shtoi ajo.
Balluku theksoi se qeveria është munduar të përmirësojë ndjeshëm të gjithë kuadrin ligjor, ndërkohë që Shqipëria tashmë ka hapur një faqe të re, atë të integrimit në Bashkimin Europian.
“Të gjitha ligjet që ne aplikojmë janë të përafruara dhe janë ligje që operojnë dhe aplikohen në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Ndërkohë duhet thënë që vitet e fundit kemi parë një tërheqje të investitorëve të huaj, siç është rasti në fjalë për të investuar në sektorin e nxjerrjes minerare, por dhe atë të përpunimit pasi viti 2022 shënoi një epokë të re për Europën, atëherë kur agresioni i Rusisë në Ukrainë tregoi një herë e mirë që pavarësia energjetike është thelbësore dhe nuk ka asnjë armë konvencionale e cila është më e rëndësishme se pavarësia energjetike”, shtoi ajo.
Balluku theksoi se në Elbasan është hapur një nga iniciativat më të rëndësishme të mbështetur nga Bashkimi Europian, Qendra Rajonale e Institutit të Ekselencës dhe Teknologjisë për Lëndët e Para.
“E vetmja në Ballkanin Perëndimor, si një ikubator për ngjizjen e ideve, për studimet, për mbështetjen e ngritjes së kapaciteteve, pasi çfarë është më e rëndësishme sot, duhet thënë, ngritja e kapaciteteve njerëzore në industrinë minerare është parësore për ne”, shtoi ajo.
Balluku theksoi se në vitin 1990 Shqipëria mbante vendin e tretë për prodhimin e kromit.
“Sot kjo industri po ringjallet, por duke pasur parasysh që në vendin tonë nuk ka vetëm krom, ne kemi nisur nga puna për të parë dhe për të studiuar thellësisht nëntokën tonë dhe sigurisht për t’u bërë më atraktiv për të gjithë investitorët e huaj”, shtoi ajo.
Fraksion.com