AktualitetBota+Të fundit

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

/ 1 Maji, i quajtur edhe Dita e Punëtorëve ose Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, është dita që përkujton betejat dhe arritjet e bëra nga punëtorët dhe lëvizja punëtore. Ajo festohet në shumë vende më 1 maj, ndërsa në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, një festë e ngjashme, e njohur si Dita e Punës, kremtohet të hënën e parë të shtatorit.

Dita e Punës i ka rrënjët në një periudhë demonstratash të fuqishme për të drejtat e punëtorëve të fabrikave gjatë Revolucionit Industrial në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Shoqata e Urdhrit të Kalorësve Amerikanë të Punës (Knights of Labor).

Në vitin 1866, u miratua një ligj i cili caktonte që dita e punës do të ishte 8-orëshe. Ligji hyri në fuqi vetëm vitin e ardhshëm, më 1 maj 1867, ditën në të cilën u organizua një demonstratë e rëndësishme, me të paktën dhjetë mijë pjesëmarrës.

Lajmi arriti edhe në Evropë, ku në ditët e para të shtatorit 1864 lindi në Londër “Internacionalja e Parë”, ose Shoqata Ndërkombëtare e Punëtorëve, shumë pranë lëvizjeve të para socialiste dhe marksiste të kohës.

Sipas enciklopedisë “Britannica”, në Bashkimin Sovjetik udhëheqësit e përqafuan festën e re, duke besuar se ajo do të inkurajonte punëtorët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të bashkoheshin kundër kapitalizmit. Kjo ditë u bë një festë e rëndësishme në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e bllokut lindor, me parada të profilit të lartë, kryesuar nga funksionarë të qeverisë dhe Partisë Komuniste, duke nderuar punëtorët dhe duke shfaqur fuqinë ushtarake.

Në Gjermani, Dita e Punës u bë festë zyrtare në vitin 1933 pas ngritjes së Partisë Naziste. Për ironi, Gjermania shfuqizoi sindikatat e lira një ditë pas vendosjes së festës, duke shkatërruar praktikisht lëvizjen punëtore gjermane.

Me rënien e bllokut komunist, festimet e mëdha të 1 Majit erdhën duke u zbehur. Gjithsesi janë ende dhjetëra vende në të gjithë botën që e festojnë dhe e kanë shpallur si ditë pushimi, ku festimet janë reduktuar në piknikë dhe festa më të vogla, por ka edhe protesta e grumbullime në mbështetje të punëtorëve dhe kauzave të tyre.

Frsksion.com