AktualitetPolitikëTë fundit

“Të përjashtohen Ndreca dhe Ekonomi”, Vokshi: Mazhoranca po minon punën e komisionit hetimor të shëndetësisë

Kryetarja e komisionit hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi, Albana Vokshi u shpreh sot se “anëtarët e mazhorancës në komision po minojnë punën e tij”.

Në një konferencë për mediet, Vokshi bëri të ditur se i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit përjashtimin nga komisioni të Plarent Ndrecës dhe Milva Ekonomit, si dy persona në konflikt interesi, që në mënyrë të qëllimshme po pengojnë punën e këtij komisioni.

“Mazhoranca bojkotoi komisionin pa asnjë arsye legjitime. Ky është një tjetër akt i rëndë ndaj parlamentarizmit, kontrollit parlamentar dhe hetimor. Po minohet mbarëvajtja e punëve të komisionit. Kjo është shumë e rëndë, pasi me veprimet e tyre po kthejnë mbrapsht të gjitha procedurat parlamentare ndër vite, po shkatërrojnë procedurën parlamentare”, tha ajo.

Vokshi i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, të marrë masa për deputetët e mazhorancës.

“I kemi kërkuar Kryetares së Kuvendit që në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit të ushtrojë përgjegjësitë e saj. I kemi vënë në dispozicion dy dokumentet me firma të deputetëve të mazhorancës, dy raste ku shihet se si ata kanë rrëmbyer drejtimin e komisionit, duke kërkuar të minojnë punën e komisionit”, tha ajo.

Sipas Vokshit, plani hetimor i paraqitur nga PS jo vetëm që nuk heton koncesionet, por pengon hetimin e koncesioneve dhe bie ndesh me vendimin për ngritjen e komisionit hetimor.

“I kemi kërkuar kryetares së Kuvendit që të marrë masat e menjëhershme për të kthyer në normalitet punën e këtij komision duke filluar procedurat parlamentare për zëvendësimin e nënkryetarit dhe sekretarit, të cilët në bashkëpunim kanë shkelur ligjin dhe rregulloren dhe kanë rrëmbyer edhe drejtimin e komisionit. Po ashtu të paralajmërojë deputetët e tjerë që janë kthyer në shkelës të përsëritur”, tha Vokshi.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediet u shpreh se bojkoti nuk e mbulon dot korrupsionin.

“Bojkoti nuk mund të jetë mjet në veprimtarinë e institucioneve. Kur ky mjet përdoret nga mazhoranca, me qëllim për të penguar punën e vetë institucionit dhe për të mos lejuar hetimin parlamentar, kjo merr tiparet e një puçi kushtetutes. Sjellja e përsëritur e deputetëve të mazhorancës në komisionin hetimor të kontratave koncesionare në shëndetësi është tregues i panikut që ka kapur mazhorancën nga kontrolli i kontratave korruptive të sterilizimit dhe check-up”, tha Bardhi.

Sipas tij, “detyra e çdo deputeti është të mbrojë interesin publik, jo të bëjë avokatin e të korruptuarve. Gjurmët e korrupsionit në shëndetësi, njëlloj si tek inceneratorët, nuk i mbulon dot as bojkoti, as bllokimet, as vonesat dhe as avokatia partiake”.

Fraksion.com