AktualitetRajoniTë fundit

REL: Dalja e shqiptarëve në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut shënon rënie

Dalja e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit në Maqedoninë e Veriut ka shënuar një rënie krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe kjo vjen si pasojë e dëshpërimit të tyre me partitë politike dhe ikjes së të rinjve nga vendi, sipas njohësit të çështjeve politike, Xhelal Nezirit.

Më pak se 30 për qind e shqiptarëve me të drejtë vote dolën për të votuar të mërkurën, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut (KSHZ).

Dy grupimet politike që morën pjesë në zgjedhjet presidenciale me kandidatët e tyre, Fronti Evropian me Bujar Osmanin (13,37%) dhe koalicioni VLEN me Arben Taravarin (9,20%), i fituan rreth 210.000 vota së bashku. Mbi 830.000 qytetarëve maqedonas votuan në zgjedhjet e së mërkurës.

Asnjëri prej kandidatëve shqiptarë nuk ia doli të kalojë në rundin e dytë, pasi Kandidatja opozitare, Gordana Silanovska-Davkova, dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, fituan më shumë vota.

Dalja e ulët në votime, sipas njohësve të çështjeve politike, ka të bëjë me dëshpërimin e elektoratit shqiptar me partitë politike, për shkak të mungesës së ofertave reale për zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Preokupim kryesor për të rinjtë, por edhe shtresat e tjera, janë papunësia, ulja e standardit jetësor, prania e madhe e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe rënia e madhe e besimit në sundimin e ligjit.

Dalja e ulët ka qenë evidente edhe në ciklet e kaluara zgjedhore dhe, sipas dhënave të KSHZ-së, në dhjetë vjetët e fundit numri i elektoratit shqiptar është tkurrur për mbi 50.000 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2014 kishin hedhur votën 250 mijë shqiptarë, por krahasuar me zgjedhjet e mëhershme, ulja është edhe më e madhe.

Xhelal Neziri, njohësi i çështjeve politike, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e ofertave të sinqerta politike dhe largimi i të rinjve jashtë vendit, janë dy faktorët që kanë ndikuar në rënien e numrit të votuesve në zgjedhje.

“Edhe koalicioni VLEN, por edhe koalicioni i Frontit Evropian, mbase janë koalicione të reja, por janë të përbërë nga elementë të vjetër. Problemi qëndron te mungesa e një formule për t’i motivuar ata votues që janë apolitikë, që nuk votojnë asnjëherë. Pastaj te qasja politikbërjes nga ana e partive politike, apo mungesa e një opsioni që do të ishte atraktiv, sidomos për gjeneratat e reja”, tha Neziri.

Sipas tij, është shqetësues edhe fakti se, në katër vjetët e fundit, mbi 35 mijë të rinj shqiptarë kanë arritur moshën për të votuar, por nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.

Koalicioni VLEN, i cili përbehet nga katër parti shqiptare, shihej si një alternativë për shqiptarët, dhe në zgjedhje arriti t’i fitojë rreth 83 mijë vota.

Ky koalicion kishte mbështetjen edhe të partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, dhe nga partitë opozitare shihej si një nxitje për pjesëmarrje më të lartë në zgjedhjet e 24 prillit.

Por, analisti Neziri theksoi se partitë opozitare nuk kanë arritur të kuptojnë se “shqiptarët nuk kanë kërkuar që Albin Kurti të vijë këtu dhe të lobojë, por ata kanë kërkuar një model të politikanit të Kurtit” në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk besoj se dikush nga jashtë, qoftë Albin Kurti, Edi Rama apo ndonjë politikanë tjetër që është i popullarizuar ndër shqiptarët, do të mund të ketë fuqi bindëse për t’i detyruar, apo motivuar votuesit që ta përkrahin një opsion vetëm me deklarata, ose me mbështetje më të theksuar logjistike dhe mediatike”, shtoi ai.

Numri i votuesve shqiptarë që kanë dalë në zgjedhjet e këtij muaji mund të jetë edhe më i ulët sesa shifrat zyrtare, pasi pjesë e koalicionit të Frontit Evropian, që udhëhiqet nga BDI-ja, ishin edhe katër parti të komuniteteve, turq, rom dhe boshnjak.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë pjesë e qeverive të Maqedonisë së Veriut prej vitit 2002, me një ndërprerje të shkurtër në periudhën 2006-2008.

Neziri nënvizoi se me figurat që tani janë pjesë e politikës në Maqedoninë e Veriut “vështirë se do të mund të ketë ndonjë ndryshim”, duke paralajmëruar se numri i votuesve shqiptarë “do të vazhdojë të shënojë ulje” në ciklet e ardhshme zgjedhore.

Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, sipas tij, u mungon një lëvizje e mirëfilltë me fytyra të reja politike të cilat kanë “vizion dhe guxim” t’i trajtojnë problemet me të cilat ballafaqohet qytetari shqiptar.

 

Fraksion.com