AktualitetPolitikëTë fundit

Meta: Nuk i druhem arrestimit nga SPAK. Dumani duhet ta kishte arrestuar Agaçin prej shumë kohësh

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u ndal këtë të martë në qytetin e Shkodrës, prej nga ku deklaroi se përpara Konventës që do të mbahet më 27 prill nuk pret asnjë befasi nga askush, përfshirë edhe SPAK-un. Ai shtoi se nuk i druhet arrestimit nga SPAK, ndërsa vijoi akuzat ndaj kreut të këtij institucioni, Altin Dumani.

“Nuk bëj asnjë lloj presioni ndaj askujt. Unë jam mësuar të them të vërtetën. Aq më tepër t’i druhem arrestimit nga një prokuror që është kthyer në zëdhënës politik të Engjëll Agaçit, të cilin duhet ta kishte arrestuar prej kohësh për aferën e inceneratorëve, të Edi Ramës, që duhet ta kishte arrestuar. Një prokuror që kërcënoi Arben Ahmetajn kur tha disa të vërteta në mënyrë që të mbyllte gojën në vend që t’i afronte atij marrëveshje bashkëpunimi dhe lehtësira për të treguar të gjitha shkeljet ligjore dhe korrupsionit të bërë nga shefi i tij. Aq më tepër, të druhet Ilir Meta ndaj një prokurori që i merret goja”, theksoi ai.

Nga Shkodra Meta pati edhe një mesazh për ndërkombëtarët, të cilët sipas tij i janë kundërvënë pas akuzave të tij ndaj Prokurorisë së Posaçme.

“Më thoni ndërkombëtarë. Pse McGonigal nuk ishte ndërkombëtar? Ishte nga Skrapari? Ndërkombëtar dhe i rëndësishëm shumë. Me ata të SPAK-ut rrinte tërë ditën. Hartonin plane bashkë. Atje do të shkojnë edhe ata që ishin me McGonigalin. Ne jemi me të gjithë ndërkombëtarët që kanë integritet”, tha Meta.

Sa i takon zgjedhjeve të ardhshme parlamentare Meta tha se është gati të bëjë koalicion me Sali Berishën, ndonëse ky i fundit është shpallur “non grata” nga SHBA-të dhe që prej dhjetorit të vitit të shkuar ndodhet nën masën “arrest shtëpie”.

 

Fraksiom.com