AktualitetTë fundit

Incidenti në Urgjencën e QSUT-së, Koçiu: Prej ditësh ka nisur puna për riparimin e dëmit

Prej disa ditësh në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nisur puna për riparimin e dëmit në rrjetin elektrik, të shkaktuar nga incidenti i ndodhur në muajin shkurt.
Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila konfirmoi se shërbimi i Urgjencës në QSUT, vijon çdo ditë të ofrojë shërbim për të gjitha urgjencat e tjera përveç urgjencave kardiovaskulare.
Koçiu theksoi se po punohet në luftë me kohën për të rikthyer sa më parë në këtë strukturë spitalore dhe shërbimin për urgjencat kardiovaskulare, shërbim që aktualisht po ofrohet në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Rajonal Memorial Fier dhe Spitalin Rajonal të Shkodrës.
“Shërbimi i Urgjencës në QSUT, vijon çdo ditë të ofrojë shërbim për të gjitha urgjencat e sëmundjeve të brendshme, gastrohepatologji, nefrologji, hematologji, endokrinologji, dermatologji, alergologji, reumatologji si dhe të gjitha urgjencat neurologjike”, u shpreh Ministrja.
Në muajin shkurt urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u përfshi nga zjarri, duke nxjerrë jashtë funksioni shërbimet spitalore që ofroheshin aty, ndërkohë që nuk pati asnjë pacient të dëmtuar.

Fraksion.com