“Zjarri në Urgjencën e QSUNT ende në hetim”, Koçiu: Kanë nisur punimet për rehabilitimin
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se “kompania kontraktuese fituese ka filluar punën për rehabilitimin e Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Punimet pritet të përfundojnë brenda majit, për ta sjellë atë në gjendjen e mëparshme”.
Në raportimin e saj në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë lidhur me funksionimin e Urgjencës Polivalente në QSUNT, pas zjarrit të rënë në shkurt të këtij viti, Koçiu tha se “zjarri i ndodhur në QSUNT është ende në hetim nga Prokuroria e Tiranës, por nga të dhënat paraprake që ne kemi nga grupi i punës, i cili u ngrit dhe bëri vlerësimin paraprak, bëhet fjalë për një defekt teknik në një nga dhomat teknike ku ka pasur një djegie të kabujve elektrikë, pa implikime serioze për spitalin dhe pa dëmtuar pajisjet biomjekësore të spitalit”.
“Sot që flasim në QSUNT vazhdon puna e të gjitha shërbimet ofrohen pa problematikë.
I vetmi shërbim është urgjenca kardiake dhe e sëmundjeve të brendshme, të cilat ofrohen në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në Spitalin Rajonal Memorial në Fier dhe në Spitalin Rajonal të Shkodrës me një koordinim shumë profesional të Urgjencës Kombëtare Mjekësore”, tha Koçiu.
Më tej Koçiu theksoi se “Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është më e rëndësishmja në Shqipëri, është shëmbëlltyra më e mirë e modernizimit të jashtëzakonshëm të ndodhur në vendin tonë. Investimi masiv dhe transformimi i Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, Infektivit, Kardiologjisë, Pediatrisë, si dhe modernizmi i çdo lloj reparti brenda QSUNT me aparatura moderne e kushte bashkëkohore ka bërë një diferencë për të gjithë qytetarët”, tha Koçiu.
“Incidenti për të cilin ne jemi thirrur sot e po diskutojmë tregoi se standardet, profesionalizmi dhe cilësia e shërbimit është e tillë anembanë vendit. Spitali Rajonal i Shkodrës, Spitali Rajonal Memorial i Fierit, si dhe qendra spitalore si ajo e “Shefqet Ndroqit”, janë në gjende të ofrojnë sot të gjithë shërbimin dhe të përballojnë të gjithë fluksin e shërbimeve për të cilat urgjenca kardiologjike dhe ajo e sëmundjeve të brendshme sot në QSUNT nuk mund ta japin këtë shërbim”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “deri pak vite më parë jam e sigurt se diçka e tillë do të ishte e pamendueshme dhe incidenti i ndodhur do ta kishte futur në kolaps të plotë të gjithë sistemin shëndetësor me kosto të jashtëzakonshme për qytetarët. Fatmirësisht kjo nuk është situata sot. Ka arsye për t’u ndjerë mirë dhe krenarë për stafin e mrekullueshëm mjekësor, mjekë, infermierë, të cilët kanë ofruar shërbimin optimal në kushtet e situatës së ndodhur”.
“Falë cilësisë dhe standardeve të ndërtimit si dhe protokolleve të sigurisë që janë aplikuar në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, u arrit që zjarri i rënë të lokalizohej menjëherë, duke shmangur dëme të rëndësishme materiale dhe mbi të gjitha, duke shmangur dëme në jetë njerëzish”, deklaroi Koçiu.
Kryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Zheni Gjergji tha se “dëmi në Urgjencën e QSUNT ka qenë i rëndë duke cenuar shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve”.
“Në vendin tuaj duhet të ishte Ogerta Manasatirliu, e cila ka projektuar e ka marrë në dorëzim një godinë jashtë parametrave europianë. Fatmirësisht ka funksionuar sistemi për të mos shkaktuar humbje jete gjatë momentit të rënies së zjarrit, por ky spital është jashtë parametrave europianë dhe nuk është investimi më i mirë i në 30 vitet e fundit në shëndetësi”.