ASK thotë se edhe serbët po marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë
Dhjetë ditë pasi në Kosovë ka nisur regjistrimi i popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë regjistruar mbi 200.000 banorë rezidentë, nga të gjitha komunitetet.
Avni Kastrati, kryeshef ekzekutiv në ASK, gjatë një konference për media më 15 prill, tha se deri më tani janë regjistruar edhe banorë të komunitetit serb nga katër komunat veriore të Kosovës.
“Ka edhe pjesëmarrës nga komuniteti serb nga të gjitha komunat e veriut. Ne mendojmë që në ditët në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit”, tha ai.
Ky njoftim vjen pasi më 5 prill, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha më 5 prill se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.
Sipas statistikave që ASK-ja publikoi në një konferencë për media, deri më tani janë regjistruar rreth 206.000 mijë banorë të deklaruar si shqiptarë, afër 2.000 të deklaruar si serbë dhe në shifra më të vogla nga komunitetet e tjera në Kosovë.
Sipas të dhënave, 93 persona deri më tani kanë preferuar mos të deklarojnë mbi etninë.
“Kemi qenë të detyruar t’i shkëpusim disa kontrata të regjistruesve për shkak se i kanë tejkaluar kompetencat që kanë marrë gjatë trajnimeve”, tha Kastrati, pa specifikuar arsyet.
Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë.
Megjithatë, sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare serbe në Kosovë, në Kosovë jetojnë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb.
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj./REL
Fraksion.com